“Betejat janë për t’u luftuar, por lufta është për t’u fituar – Llapi nuk dorëzohet kurrë” – Batatina pasi mbeti në barazh

20:56 | 31 Maj 2026
D.H

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka reaguar pasi edhe zyrtarisht do të luajë në barazhin e këtij sezoni në Superligën e Kosovës.

Batatina ka thënë se Llapi nuk dorëzohet kurrë dhe do t’i kalojnë të gjitha sfidat, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

“Jemi nga qyteti i rezistencës dhe i besës. Do t’i thyejmë të gjitha barrierat që kemi përpara, sepse jemi treva e besës dhe e fjalës. Gjithmonë si trevë e Llapit kemi qenë të sfiduar, por nga Llapi ka filluar rezistenca dhe çlirimi. Nga Llapi ka nisur edhe etapa e futbollit kosovar dhe aty do të mbetet. Betejat janë për t’u luftuar, por lufta është për t’u fituar. Llapi nuk dorëzohet kurrë”, ka shkruar Batatina në Facebook.

Ky është sezoni i dytë rresht që Llapi do të luajë në barazh.

Skuadra e Batatinës do të përballet me Dinamon e Ferizajt në finalen e barazhit, më 7 qershor.

Llapi e përfundoi sezonin i teti në Superligën e Kosovës, me 49 pikë, derisa Dinamo erdhi në këtë finale, pasi e mposhti Lirinë në gjysmëfinale të barazhit, me shifrat prej 2-0.

Sezonin e kaluar, Batatina e Llapi e mposhtën Vushtrrinë në finale të barazhit, me anë të penalltive.

Shpërndaje në rrjete sociale