Përfundon edicioni i Superligës, hiqen të gjitha dilemat – Malisheva nënkampione, Llapi sërish në barazh

18:11 | 31 Maj 2026
D.H

Është mbyllur edhe java e fundit në Superligën e Kosovës në futboll, ku tashmë pas kampionit, skuadrave që ranë nga elita, hiqet edhe dilema e fundit se kush do të luaj në barazh, për ta synuar elitën edhe për së paku një vit.

Skuadra e Tahir Batatinës, Llapi për të dytin vit me radhë Superligën për edicionin e ri do ta kërkojë nga barazhi, shkruan Arbresh.info.

Përkundër se fituan në xhiron e fundit ndaj Ferizajt 2:3, Llapi mbetet e teta pasi edhe skuadrat tjera që ishin rival të tyre, për të ikur nga kjo zonë fituan.

Drenica e mposhti Prishtinën në kryeqytet me rezultat 1:2.

Gjilani shënoi fitore ndaj Prishtinës së Re me rezultat 3:2. Dukagjini fitoi minimalisht ndaj Ballkanit 1:0.

Derisa Malisheva e mposhti kampionen Dritën, 3:2.

Kështu, Drita pas 36 xhirove e mbyll sezonin si kampione me 66 pikë, Malisheva del e dyta me 59 sosh, kurse Ballkani i treti me 58. Këto tri skuadra së bashku me Dukagjinin si fituese e Kupës së Kosovës, do ta përfaqësojnë vendin në gara evropiane.

Dukagjini e mbylli në vendin e katërt me 51 pikë, ndërsa Gjilani me po aq pikë (51) në vendin e pestë.

Drenica me 50 pikë është e gjashta, ndërsa Prishtina me 49 pikë e shtata.

Llapi mbeti në pozitën e tetë me 49 pikë, për shkak të ndeshjeve direkte me Prishtinën, dhe do të luajë në barazh me Dinamon e Ferizajt.

Ferizaj dhe Prishtina e Re e përfunduan sezonin në dy pozitat e fundit dhe edicionin e ri do të luajnë në Ligë të Parë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale