Evropa Perëndimore po përballet me një valë të fortë të nxehti, ndërsa Portugalia regjistroi temperaturën më të lartë të muajit maj në historinë e saj, me 40.3 gradë Celsius të matur në qytetin Mora.
Rekordi i ri, i regjistruar të mërkurën, tejkalon temperaturën prej 40 gradësh Celsius të shënuar në vitin 2001. Autoritetet meteorologjike paralajmërojnë se temperaturat ekstreme do të vazhdojnë deri në fundjavë në disa vende evropiane, përfshirë Francën, Italinë, Spanjën, Gjermaninë dhe Zvicrën.
Në Itali, autoritetet kanë shpallur alarm të kuq për valë të nxehti në Romë dhe qytete të tjera si Firence, Bolonja, Breshia dhe Torino. Temperaturat në kryeqytetin italian pritet të arrijnë në 32 gradë Celsius, ndërsa në Madrid termometri mund të shkojë deri në 35 gradë gjatë fundjavës.
Në Francë, qeveria zhvilloi një mbledhje emergjente për të vlerësuar gatishmërinë ndaj temperaturave ekstreme dhe rrezikut të zjarreve. Shtatëmbëdhjetë departamente, përfshirë Parisin, janë vendosur nën alarm portokalli për vapë intensive.
Temperaturat e larta kanë ndikuar edhe në sistemin arsimor francez. Një shkollë fillore në rajonin Landes u mbyll pasi temperatura brenda klasave arriti në 53 gradë Celsius. Megjithatë, autoritetet konfirmuan se provimet kombëtare do të vazhdojnë sipas planit, vendim që ka shkaktuar kritika nga sindikatat e mësuesve.
Edhe sporti është prekur nga kushtet ekstreme atmosferike. Numri një i tenisit botëror, Jannik Sinner, u tërhoq nga French Open pasi u ankua për marramendje dhe lodhje për shkak të vapës së fortë në Paris.
EPA Jannik Sinner mban kokën me njërën dorë ndërsa pi ujë në vapë gjatë një pushimi në French Open.
Sipas meteorologëve, vala e të nxehtit po shkaktohet nga një “kupolë nxehtësie”, një sistem me presion të lartë që bllokon ajrin e nxehtë mbi rajon. Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po i bëjnë valët e të nxehtit në Evropë më të shpeshta dhe më intensive.
Të dhënat e shërbimit klimatik Copernicus tregojnë se Evropa është ngrohur mesatarisht me 0.56 gradë Celsius për dekadë gjatë 30 viteve të fundit, duke rritur ndjeshëm rrezikun nga temperaturat ekstreme.
Zbulohet varr masiv nga Lufta e Dytë Botërore në Zagreb, vik...
Neymar në alarm, gjendja e tij shqetëson Brazilin para Kupës...
KQZ sqaron rregullat e votimit me kusht për zgjedhjet e 7 qe...
Planifikoi sulm terrorist në koncertin e Taylor Swift në Vie...
Haradinaj: Çdo sakrificë për liri të shqiptarëve e gjejmë në...
Reshje të fuqishme me rrufe dhe breshër godasin disa fshatra...