KQZ sqaron mungesën e shiritit ngjitës në pakot e votimit me postë: S’e cenon vlefshmërinë e fletëvotimit

17:13 | 26 Maj 2026
E.H

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dalë me një sqarim lidhur me mungesën e shiritit ngjitës në pakon e votimit përmes postës, pas shqetësimeve të ngritura nga disa votues jashtë Kosovës.

KQZ ka theksuar se mungesa e një shiriti shtesë ngjitës nuk e cenon vlefshmërinë e fletëvotimit.

“KQZ njofton se, ashtu si në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën në dhjetor të vitit 2025, edhe në zgjedhjet aktuale të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, nuk është paraparë përdorimi i shiritit ngjitës të KQZ-së, i cili ishte përdorur në Zgjedhjet Lokale 2025. Procesi i votimit me postë zhvillohet në atë mënyrë që votuesi e vendos fletëvotimin në zarfin e fshehtësisë, i cili mbyllet me ngjitësin standard që e posedon vet zarfi”, thuhet në deklaratë.

KQZ ka shtuar se vazhdimisht ka ndërmarrë masa sigurie në procesin e votimit jashtë vendit dhe një e tillë, nga Zgjedhjet Lokale 2025 dhe në proceset zgjedhore në vazhdim, është dërgimi nga KQZ i pakos me fletëvotimin e shtypur dhe materialet tjera përcjellëse në adresë të votuesve të regjistruar.

“Fletëvotimet të cilat janë të vendosura në pakon individuale, janë fletëvotime që përmbajnë elementet e sigurisë, të ngjashme me fletëvotimet që përdoren në Kosovë, në procesin e votimit në vendvotime. Këto elemente sigurie janë të përcaktuara nga KQZ në Rregulloren Zgjedhore për fletëvotimet dhe broshurat. Ato përmbajnë së paku tri veçori të sigurisë, të cilat i bëjnë ato të mbrojtura nga kopjimi apo falsifikimi. Këto veçori përfshijnë mikroshtypin, UV printin dhe elementin “anti-copy”, i cili shfaq shenjë dalluese në rast se tentohet kopjimi i fletëvotimit”.

Po ashtu, KQZ ka sqaruar se secili fletëvotim i dërguar votuesve jashtë Kosovës për votim përmes postës është i vulosur në pjesën e pasme me vulë ngjyrë të zezë.

“Pra, vula e vendosur në këto fletëvotime është me ngjyrë të zezë dhe nuk do të thotë se fletëvotimi është kopje. Përveç këtyre elementeve, votimi me postë sigurohet edhe me pajisjen e votuesve me dëftesën e regjistrimit, një dokument unik që KQZ ua dërgon çdo aplikuesi pasi regjistrohet suksesshëm si votues jashtë Kosovës”.

Në mënyrë që procesi i votimit përmes postës të jetë i vlefshëm, KQZ ka rikujtuar udhëzimet që duhet të ndiqen nga votuesit:

Plotësoni fletëvotimin;

fletëvotimin e plotësuar vendoseni në zarfin e fshehtësisë;

zarfin e fshehtësisë me fletëvotimin brenda dhe dëftesën e regjistrimit vendoseni në zarfin kthyes;

mbi zarfin kthyes, shënoni adresën e kutisë postare; dhe

vendoseni pullën postare (nëse aplikohet në shtetin ku jetoni) dhe dërgojeni zarfin në postë.

Në fund, KQZ ka ftuar votuesit përmes postës që të kenë kujdes, duke theksuar se pakoja individuale me fletëvotim duhet të arrijë në kutinë postare përkatëse më së largu deri më 6 qershor 2026.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme