Delegacioni i kongresistëve amerikanë, që vizitoi Luginën e Preshevës të martën, theksoi rëndësinë e stabilitetit dhe të prosperitetit në trajtimin e çështjeve mes shqiptarëve dhe serbëve.
Keith Self nga radhët e republikanëve dhe Suhas Subramanyam nga radhët e demokratëve u takuan me zyrtarë të ndryshëm, përfshirë deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, për të marrë informacione dhe mendime të drejtpërdrejta nga terreni.
“Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur. Por, do të shkojmë edhe në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe atje. Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, u tha Self gazetarëve.
Subramanyam përmendi sistemin arsimor dhe zhvillimin e pabarabartë për shqiptarët në Serbi si një nga problemet kryesore të të drejtave të pakicës, ndërsa tha se në takime është diskutuar edhe çështja e pasivizimit të adresave.
“Realiteti është që Serbia, për të ecur përpara, duhet të jetë në gjendje t’i adresojë këto çështje”, tha kongresisti demokrat.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë pas takimit, Kamberi tha se kongresistët “janë bindur për situatën ekzistuese në terren” dhe u shfaq i bindur se problemet në Luginën e Preshevës po marrin vëmendje ndërkombëtare.
“Ekziston një gamë e gjerë problemesh – para së gjithash ai i integrimit në institucionet shtetërore. Mungesa e shqiptarëve në ato institucione – nisur nga policia, kufijtë, gjyqësori, pra në organet që veprojnë në territoret e komunave tona – jo vetëm që shkel të drejtat e shqiptarëve për të qenë të përfaqësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, por krijon edhe situatën që një pakicë, e cila përbën 95% të popullsisë këtu, nuk ka besim në ato institucione”, tha Kamberi.
Vizita e kongresistëve amerikanë në Preshevë – qytet në jug të Serbisë, i banuar me shumicë shqiptare – vjen pasi, në fillim të këtij viti, Komiteti për Politikë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan miratoi një projektligj, që i kërkonte sekretarit amerikan të Shtetit të përgatiste një raport gjithëpërfshirës për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës./rel
Kurti në diplomimin e 270 asistentëve për fëmijë me nevoja t...
Pas sulmeve të fundit, Kina i bën thirrje SHBA-së dhe Iranit...
Hamza fton qytetarët në hapjen e fushatës së PDK-së: Jemi të...
Haradinaj: Lufta jonë çlirimtare që na solli Aleancën me NAT...
Policia parandalon kontrabandën e 27 deleve dhe 4 qengjave n...
Muriqi pas rënies së Mallorcas: Sot jemi të trishtuar, të lë...