Nuk kanë fund problemet tek Milani, ylli i skuadrës mund të largohet verës

21:38 | 25 Maj 2026
D.H

Rafael Leao mund të largohet nga Milani gjatë afatit kalimtar të verës, pas një sezoni zhgënjyes për klubin italian.

Sipas raportimeve nga Italia, sulmuesi portugez nuk është më i lumtur te “Rossonerët”, ndërsa mungesa e Milanit në Ligën e Kampionëve ka shtuar edhe më shumë gjasat për largimin e tij, shkruan Arbresh.info.

Milani e nisi mirë sezonin dhe për një periudhë të gjatë ishte skuadra e vetme që i bënte presion Interit në garën për titull.

Megjithatë, forma e dobët në javët e fundit i kushtoi shtrenjtë ekipit kuqezi.

Tre humbje dhe një barazim në pesë ndeshjet e fundit bënë që Milani të mbetet jashtë Champions League, duke siguruar vetëm pjesëmarrjen në Europa League.

Sipas mediave italiane, kjo garë nuk konsiderohet e mjaftueshme për një lojtar të nivelit të Rafael Leaos.

Raportohet se Leao nuk është ndjerë rehat këtë sezon me ndryshimet taktike të skuadrës.

Portugezi nuk ka luajtur aq shpesh në krahun e majtë, pozicion ku ai ndihet më komod dhe ku arrin të shfrytëzojë maksimalisht shpejtësinë dhe fuqinë e tij.

Në shumë ndeshje ai është aktivizuar më në qendër të sulmit, duke luajtur shpesh me shpinë nga porta, rol që nuk i përshtatet stilit të tij.

Gjatë këtij sezoni, Leao ka realizuar 9 gola dhe ka dhuruar 3 asistime në 29 paraqitje.

Mediat italiane raportojnë se marrëdhënia mes lojtarit dhe klubit është përkeqësuar ndjeshëm.

Madje, në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, Leao e nisi takimin nga banka rezervë, gjë që ka shtuar spekulimet për një “ndarje totale” mes palëve.

Për shkak të situatës së krijuar, disa klube të mëdha evropiane tashmë po monitorojnë situatën e tij, pasi besohet se portugezi po kalon javët e fundit si futbollist i Milanit.

Leao ka kontratë me klubin deri në vitin 2028, çka i jep Milanit ende kontroll mbi të ardhmen e lojtarit, por vera e ardhshme mund ta vështirësojë shumë situatën për klubin italian./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale