Ministria e Kulturës akuzon Komunën e Prishtinës për punime pa leje te “Ishulli Urban”

18:00 | 23 Maj 2026
E.K

Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka akuzuar Komunën e Prishtinës për zhvillim të punimeve të paautorizuara në hapësirën e mbrojtur të Pallatit të Rinisë dhe Sportit, duke pretenduar se projekti “Ishulli Urban” po realizohet pa pëlqimet e nevojshme nga institucionet e trashëgimisë kulturore.

Në një konferencë për media, sekretari i Ministrisë Bislim Bislimi tha se nuk ka pasur ndalim të ri të punimeve javën e kaluar, por vetëm kontroll të zbatimit të një vendimi ekzistues të vitit 2024.

Sipas tij, Inspektorati për Trashëgimi Kulturore kishte ndërprerë punimet që në nëntor të vitit 2024, pasi Komuna e Prishtinës kishte nisur aktivitete ndërtimore pa leje në zonën e mbrojtur të Pallatit të Rinisë dhe në Qendrën Historike të Prishtinës.

Bislimi deklaroi se projekti “Ishulli Urban” pjesërisht shtrihet në hapësira të mbrojtura dhe prek edhe zonën e planifikuar për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit, duke theksuar se nuk janë marrë pëlqimet e nevojshme institucionale për ndërhyrjet.

Ai shtoi se Komuna e Prishtinës ka lëshuar leje ndërtimore në parcela ku, sipas tij, tashmë ekzistojnë të drejta të tjera shfrytëzimi, duke e cilësuar këtë si veprim të kundërligjshëm dhe problematik në aspektin e pronësisë dhe planifikimit urban.

“Inspektorati për Trashëgimi Kulturore, në nëntor të vitit 2024, ka ndaluar zhvillimin e aktiviteteve ndërtimore… të cilat ishin pa leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore”, tha Bislimi, duke shtuar se punimet janë rinisur sërish nga janari i vitit 2026.

Sipas tij, kërkesa e Komunës për pëlqim ishte refuzuar në dhjetor 2024, ndërsa edhe ankesa në shkallën e dytë administrative ishte hedhur poshtë. Megjithatë, pavarësisht këtyre vendimeve, punimet në terren, sipas tij, kanë vazhduar.

Një tjetër akuzë lidhet me heqjen e shenjave zyrtare të ndalimit të punimeve. Bislimi paralajmëroi se veprime të tilla mund të përbëjnë vepra penale, duke përmendur nenet e Kodit Penal që lidhen me dëmtimin apo largimin e vulave dhe shenjave zyrtare.

Ai kritikoi edhe kryetarin e Komunës së Prishtinës Përparim Rama, duke thënë se disa deklarata publike të tij përçojnë dezinformata dhe nuk ndihmojnë në sqarimin e situatës.

“Takimi i fundit është mbajtur më 21 maj 2026 në hapësirat e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, ku përgjegjësit e të dy palëve janë dakorduar që nevojitet harmonizimi i tri projekteve. Ndërsa çuditërisht, në të njëjtën kohë sa zhvillohej takimi i profesionistëve me qëllim të gjetjes së zgjidhjes, kemi pasur në media kryetarin e komunës, zotërin Rama, i cili del me deklarata që nuk i kontribuojnë zbardhjes së të vërtetës”, tha Bislimi.

Në fund ai tha se, Ministria e Kulturës dhe institucionet e trashëgimisë kulturore mbeten të gatshme për bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, me qëllim që projektet urbane të harmonizohen me ligjin dhe standardet profesionale të mbrojtjes së trashëgimisë./rtk