Prokuroria e Pejës dhe Policia intensifikojnë luftën kundër krimeve kibernetike

14:49 | 21 Maj 2026
E.K

Prokuroria Themelore në Pejë, njofton se ka zhvilluar një takim koordinues me Policinë e Kosovës, përkatësisht me Njësitin për Luftimin e Krimeve Kibernetike, në kuadër të përpjekjeve për të luftuar mashtrimet kompjuterike dhe krimet kibernetike.

Takimi është udhëhequr nga Kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj, së bashku me prokurorët e kësaj prokurorie, ku është diskutuar për rastet e shumta të mashtrimeve online të raportuara në rajonin e Pejës.

Gjatë takimit, palët kanë theksuar nevojën për intensifikimin e veprimeve hetimore dhe forcimin e koordinimit ndërinstitucional, me qëllim të trajtimit më efikas të rasteve dhe identifikimit të autorëve të këtyre veprave penale.

Po ashtu, është vlerësuar si shumë i rëndësishëm thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës për parandalimin e krimeve kibernetike, të cilat po paraqesin një sfidë në rritje për sigurinë e qytetarëve.

Institucionet u kanë bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj mashtrimeve në rrjetet sociale, mesazheve të dyshimta në telefon dhe formave të tjera të komunikimit elektronik që mund të përdoren për mashtrim.