Kosova e dyta më e varfër në Evropë, Murati tenton të arsyetohet: Kemi përparim sepse ishim të fundit

11:32 | 18 Maj 2026
E.H

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka tentuar të arsyetojë të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, që e rendisin Kosovën si vendin e dytë më të varfër në Evropë.

Murati ka thënë se këto të dhëna për vitin 2025, tregojnë përparim për Kosovën, pasi sipas tij, vendi ka qenë i fundit vite më parë.

“Në fakt nëse shihet viteve të kaluara, pra deri në vitin 2019 diferenca e Kosovës me vendet e tjera ka shku duke u rrit, pra vendet tjera i kanë ik Kosovës, kurse tash lëre që e kemi ngushtu diferencën por edhe e kemi kalu një shtet dhe presim që shumë shpejtë ky trend të vazhdojë dhe nëse vazhdon ky trend dhe qeverisja e mirë t’i kalojmë edhe shtetet e tjera”, ka thënë Murati.

Sipas tij, Kosova ka përparim në raport me shtetet e tjera.

“FMN-ja aty ka raporturar të ardhurat për kokë banori të bazuar në fuqinë blerëse. Unë nuk po bëj vlerësime, unë vetëm e thash që nëse shikohet trendi, pyetja do të mund të ishte shtruar pak më ndryshe sepse trendi tregon që Kosova ka përparim në raport me shtetet e tjera, pra kemi qenë në vendin e fundit gjatë qeverisjeve të kaluara, tash po kemi kaluar Moldavinë dhe presim t’i kalojmë edhe shtetet tjera nëse vazhdohet ky trend”, ka deklaruar Murati.

Shpërndaje në rrjete sociale