Supremja shfuqizon pjesërisht Rregulloren e UP-së për avancimin akademik

15:31 | 13 Maj 2026
E.G

Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e paraqitur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kundër Universiteti i Prishtinës Hasan Prishtina, në lidhje me ligjshmërinë e disa dispozitave të Rregullores për Procedurat Përzgjedhëse për Emërimin, Avancimin dhe Rizgjedhjen e Personelit Akademik.

Sipas njoftimit, në aktgjykimin e saj, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 18, paragrafi 7 të rregullores së kontestuar, i cili i jepte të drejtë Senatit të Universitetit të Prishtinës që “në çdo moment të tërheqë njohjen e publikimit në revistat ose botuesit e dyshimtë, por para vlerësimit përfundimtar të kandidatit”.

Gjykata ka vlerësuar se kjo dispozitë nuk mbështetet në autorizim të mjaftueshëm ligjor apo statutar, tejkalon kompetencat e përcaktuara me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Statutin e Universitetit të Prishtinës, si dhe cenon parimet e sigurisë juridike, parashikueshmërisë dhe pritshmërive legjitime të kandidatëve në procedurat e avancimit akademik.

“Në arsyetim, Gjykata Supreme thekson se termat “revista të dyshimta” dhe “botues të dyshimtë” nuk janë të përcaktuara qartë në legjislacionin në fuqi, ndërsa dispozita nuk përmban kritere objektive, procedura të qarta vendimmarrjeje apo mjete juridike mbrojtëse për kandidatët, duke krijuar hapësirë për arbitraritet administrative”, thuhet në njoftim.

Gjykata po ashtu vlerësoi se vlerësimi i publikimeve shkencore duhet të bazohet në statusin e revistës në momentin e publikimit të punimit, ndërsa ndryshimet e mëvonshme në status nuk mund të prodhojnë pasoja retroaktive për kandidatët, përveç nëse provohet shkelje nga vetë autori.

Tutje thuhet se sa i përket pjesës tjetër të kërkesëpadisë, Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për shpalljen e paligjshme dhe shfuqizimin e fusnotës 16 të së njëjtës rregullore. Gjykata ka vlerësuar se fusnota, në aspektin juridik, ka karakter shpjegues dhe jo normativ, rrjedhimisht nuk përbën dispozitë të pavarur juridike me efekt detyrues.

Shpërndaje në rrjete sociale