Dua Lipa ka ngritur një padi prej 15 milionë dollarësh kundër Samsung, duke pretenduar se kompania e elektronikës ka përdorur fotografinë e saj për të shitur televizorë pa leje dhe pa kompensim.
Sipas padisë, të paraqitur të premten, Samsung ka përdorur imazhin e Lipës në paketimin e kartonit të televizorëve të saj duke filluar nga viti i kaluar.
Kur këngëtarja është vënë në dijeni për këtë, ajo ka kërkuar që përdorimi i imazhit të saj të ndalet. Në padi thuhet se kompania ka qenë mospërfillëse dhe e pandjeshme dhe e ka refuzuar kërkesën, shkruan Variety.
“Fytyra e znj. Lipa është përdorur në mënyrë të dukshme për një fushatë masive marketingu për një produkt konsumator pa dijeninë e saj, pa konsideratë dhe pa asnjë kontroll apo kontribut nga ana e saj. Znj. Lipa nuk e ka lejuar dhe nuk do ta kishte lejuar këtë përdorim”, thuhet në dokumentin e padisë.
Padia gjithashtu pretendon se Samsung ka përfituar duke krijuar përshtypjen se Lipa e mbështet produktin, gjë që sipas saj nuk është e vërtetë.
Sipas dokumenteve, Lipa zotëron të drejtat e autorit për fotografinë e përdorur, e cila është bërë në prapaskenë gjatë Festivalit Austin City Limits në vitin 2024.
Në padi përmenden edhe reagime në rrjetin social X (ish-Twitter), ku disa përdorues sugjeronin se imazhi i saj ndikoi në blerjet e televizorëve Samsung. Një komentues shkruante se e kishte blerë produktin pasi kishte parë fytyrën e saj në paketim, ndërsa një tjetër deklaronte se do ta blinte televizorin vetëm për shkak të Dua Lipës.
Padia thekson gjithashtu se Lipa ka ndërtuar një “markë premium” dhe është shumë selektive në marrëveshjet e saj të marketingut dhe sponsorizimeve.
Ajo pretendon shkelje të të drejtave të autorit, shkelje të ligjit të Kalifornisë për të drejtën e publikimit, shkelje të Aktit Lanham dhe pretendime për markë tregtare. Çështja është ngritur në Distriktin Qendror të Kalifornisë.
Samsung nuk ka dhënë ende një koment zyrtar lidhur me padinë. /Telegrafi/
Rama: Krenar për reformën e drejtësisë, mbështetje për të ga...
Evakuohen të infektuarit me hantavirus/ Operacioni në Spanjë...
Rikthehet në operim Njësia A4 e TC Kosova A
Rama: Shqipëria më afër se kurrë integrimit në BE, PS duhet ...
Hykmete Bajrami kërkon subvencionim të plotë të zinxhirit të...
Pas protestës së fermerëve, Qeveria shton kontrollet në sekt...