Rama: Shqipëria më afër se kurrë integrimit në BE, PS duhet të ruajë motivimin

14:25 | 10 Maj 2026
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ishte këtë të diel, në Asamblenë e Partisë Socialiste në Elbasan, ku u ndal kryesisht në procesin e integrimit europian dhe mbi rolin e PS-së për të ruajtur ritmin e reformave.

Ai theksoi se Shqipëria është më afër se kurrë realizimit të ëndrrës historike për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por paralajmëroi se vitet e ardhshme do të jenë vendimtare dhe më të vështirat.

“Shqipëria është më afër se kurrë integrimit në BE, por ky proces kërkon përpjekje të mëdha, ndërsa Partia Socialiste duhet të ruajë ritmin, motivimin dhe të përballet me sfidat pa u lëkundur.Nuk kemi qenë kurrë kaq afër realizimit të një ëndrre historike. Hapat e fundit që kemi përpara janë edhe më të vështirat, sepse është faza kur duhet të përputhim të gjithë organizimin tonë shtetëror me atë të BE-së, jo vetëm në aspektin e ligjeve, por edhe të standardeve,” u shpreh Rama.

Gjatë fjalës së tij, ai kërkoi më shumë vetëdije dhe përgjegjësi nga qytetarët dhe strukturat politike, duke theksuar se Partia Socialiste duhet të vijojë përpara pa humbur motivimin, pavarësisht kundërshtarëve politikë dhe presionit mediatik.

“PS-ja dhe familja jonë politike duhet të përballet pa e humbur kthjelltësinë dhe pa humbur për asnjë moment motivimin për të shkuar çdo ditë e më shpejt përpara, pavarësisht forcave dhe faktorëve që janë tërësisht kundër nesh,” tha ai.

Rama akuzoi kundërshtarët politikë dhe rrjetet sociale për shpërndarje të lajmeve të rreme dhe deformim të realitetit publik.

“Ka forca e faktorë politikë, mediatikë dhe socialë që prodhojnë e shpërndajnë në mënyrë marramendëse gënjeshtra, gjysmë të vërteta dhe akuza. Lajme të cilat edhe kur nuk janë të pavërteta vendosen në një proporcion të zhdrejtë me realitetin,” u shpreh kryeministri.

Duke u ndalur në një të realizuar nga një start-up shqiptar përmes inteligjencës artificiale, e cila sipas tij rrëzon perceptimin se Shqipëria është një vend me media të kapura.

“Unë kam postuar një analizë që një start-up shqiptar i ka bërë nëpërmjet AI, 66 ditëve të fundit në mediat tradicionale, televizione dhe në mediat online, portalet. Të gjitha artikujt dhe fjalët e thëna, është një pasqyrë që tregon diçka shumë pozitive për ne, e cila rrëzon çdo lloj legjende urbane të sajuar me vite dhe të shpërndarë botërisht që Shqipëria është një vend mediash të kapura,” tha Rama.

Në fjalën e tij, Rama ndau edhe një episod me një socialist të zhgënjyer që nuk kishte fituar një konkurs për drejtues të administratës publike.

“Ai është një socialist i mirë që ka dhënë kontribut dhe më thoshte: jam socialist i zhgënjyer. Por nuk mundem më të dal para njerëzve se nuk u gjet mundësia për mua. I thashë: po mirë çfarë prisje, që unë të ndërhyja e të merrje pa meritë një vend që ngeli bosh? Nëse prisje këtë, s’ke kuptuar asgjë nga ato çka kam thënë. Pse nuk ke fytyrë ti të dalësh para të tjerëve kur ke aq shumë për të treguar për PS?” tregoi Rama.

Ai shtoi se Partia Socialiste duhet të jetë më afër anëtarësisë dhe të diskutojë më shumë për çështjet e mëdha politike e shoqërore, duke i ftuar socialistët të jenë krenarë për pjesëmarrjen në këtë familje politike.

“Kam kërkuar që ne të jemi shumë më afër anëtarësisë dhe të bisedojmë shumë më tepër për çështjet e mëdha politike dhe shoqërore, ndërkohë që ne duhet të flasim me të gjithë pse duhet të jenë krenarë pse janë pjesë e kësaj familjeje politike. Përtej situatave personale, se jo të gjithë kanë situata pozitive, përtej kësaj… bëra debat me një socialist të mirë të një qarku tjetër në telefon, se ishte i zhgënjyer se nuk kishte fituar dot një konkurs,” tha ai.

/rtsh.al/