VLEN-i zyrtarizon bashkimin në një subjekt të vetëm politik

22:26 | 9 Maj 2026
R J

Koalicioni VLEN mbajti Kongresin në Shkup, ku në praninë e 850 delegatëve u formalizua bashkimi i tij në një subjekt të vetëm politik. Gjatë këtij kongresi, drejtuesit e VLEN-it theksuan se ky hap shënon jo vetëm një unifikim organizativ, por edhe një përpjekje për të ndërtuar një qasje të re në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

 

Koalicioni VLEN u bashkua në një subjekt politik. Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, në Kongresin të partisë ka theksuar se VLEN-i nuk është vetëm bashkim partish, por një kulturë tjetër e politikbërjes.

“VLEN nuk duhet të jetë thjesht bashkim partish. Nëse mbetet vetëm kaq, atëherë nuk kemi bërë asgjë. VLEN duhet të bëhet një kulturë tjetër e politikës shqiptare: më e qetë, më serioze, më institucionale dhe më e përgjegjshme ndaj qytetarit. Ne nuk kemi nevojë për politikë që jeton nga zënkat. Shqiptarët kanë nevojë për politikë që ndërton, planifikon dhe mendon më larg se një mandat. Prandaj është e rëndësishme të themi edhe se çfarë përfaqësojmë. Ne jemi parti e qendrës së djathtë. Dhe këtë nuk e themi si diçka që tingëllon mirë në letër. E themi sepse besojmë në disa vlera shumë të qarta”, ka deklaruar Kasami.

Sipas tij, shqiptarët kanë nevojë për politikë që ndërton, planifikon dhe mendon më larg se një mandat.

“Për herë të parë, pesë subjekte politike dhe disa organizata po bëhen bashkë në një strukturë, në një trup, në një vizion për të përfaqësuar shqiptarët dhe qytetarët e këtij vendi. Një përfaqësim që do të jetë ndryshe, një përfaqësim që do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe që do të ndryshojë perceptimin për politikën, sepse politika duhet t’u ndihmojë qytetarëve dhe jo të zhvatë jetën apo ta rëndojë atë”, ka deklaruar ai.

Bashkëkryetari tjetër i VLEN-it, Izet Mexhiti,ka theksuar se ka momente në histori kur politika pushon së qeni garë dhe kthehet në domosdoshmëri. Sipas tij, janë këto momente kur koha kërkon jo vetëm ndryshim, por bashkim: jo shumë zëra, por një zë që e di ku shkon dhe pse shkon.

“Në ato çaste lind nevoja për një drejtim të ri, për një rrugë që nuk kalon nga frika, por nga një vullnet i pathyeshëm për ta çliruar vendin nga politika sunduese dhe përçarëse. Dhe VLEN-i lindi pikërisht në një kohë të tillë. Lindi nga një thirrje që nuk vinte nga nëntavolinat e parapolitikës, por nga rrugët, nga shtëpitë, nga heshtja e gjatë e qytetarëve që prisnin më shumë. Sepse kishte ardhur një pikë kur heshtja e qytetarëve ishte bërë më e rëndë se zhurma e politikës”, ka theksuar ai.

Sipas Mexhitit, forca të ndryshme u bashkuan, me histori dhe përvoja të ndryshme, që shpesh kishin ecur në drejtime të kundërta.

“Kemi diskutuar gjerësisht, me argumente pro dhe kundër, dhe në fund bashkërisht kemi ardhur në përfundim se modeli më i përshtatshëm për VLEN-in është ai me bashkëkryetarë. Kështu që nuk është një model i imponuar, por një model i zgjedhur dhe i aprovuar nga gjithë anëtarësia e të gjitha subjekteve brenda VLEN-it”, ka deklaruar ai.

Në kongres ishte i ftuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai ka theksuar se ky kongres ka një simbolikë të veçantë, pasi mbahet më 9 maj, në Ditën e Evropës.

“Ne jemi mësuar që në politikë shumë shpesh të shohim ndarje dhe copëtime politike në formacione të reja. Prandaj është shumë më e rrallë dhe domethënëse kur disa subjekte të ndryshme arrijnë vullnetin, vizionin dhe pjekurinë për t’u bashkuar në një trup të vetëm politik. Kjo, përveçse dëshmon përgjegjësinë politike, përbën edhe një model të ri bashkëpunimi për organizatat politike që veprojnë në rajon”, ka deklaruar Kurti.

Kujtojmë se Koalicioni VLEN u krijua para zgjedhjeve të kaluara presidenciale dhe parlamentare, me bashkimin e partive atëherë opozitare në një bllok politik. Me shkrirjen e partive të koalicionit në një parti, VLEN tash e tutje do të funksionojë me dy kryetarë dhe organe të tjera partiake.