“Mjaft me izolim!” – Protestohet në Çakorr për hapjen e kufirit me Malin e Zi

Foto: Albijon Studenica

17:00 | 25 Prill 2026
E.K

Banorë dhe aktivistë nga Peja, si dhe nga Plava dhe Gucia, kanë zhvilluar sot një protestë paqësore në zonën e Çakorri, duke kërkuar hapjen e pikës kufitare dhe funksionalizimin e plotë të rrugës që lidh Kosova me Mali i Zi.

Protesta, e mbajtur nën sloganin “Mjaft me izolim!”, nisi rreth orës 12:00 në zonën Kutllovë–Kuçishtë, me pjesëmarrjen e qytetarëve, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe aktivistëve nga të dyja anët e kufirit.

Organizatorët theksuan se kërkesa kryesore mbetet hapja e pikës kufitare në Çakorr dhe funksionalizimi i rrugës, e cila sipas tyre do të lehtësonte ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve dhe do të ndikonte në zhvillimin ekonomik të rajonit.

Njëri nga iniciatorët e protestës, Muhamet Nikqi, deklaroi se protestat dhe peticionet do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave. Ai shtoi se rruga ekziston prej dekadash, por vazhdon të mbetet e mbyllur për qarkullim të rregullt.

Para protestës, banorët e zonave përreth kishin ndërmarrë iniciativa për hapjen dhe pastrimin e rrugës malore, me qëllim lehtësimin e pjesëmarrjes së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit.

Protestuesit u bënë thirrje institucioneve të Kosovës dhe Malit të Zi që këtë çështje ta trajtojnë si prioritet strategjik dhe të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese për hapjen e pikës kufitare. Sipas tyre, funksionalizimi i saj do të ndikonte drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.

Në përfundim, organizatorët ritheksuan se angazhimi qytetar do të vazhdojë deri në hapjen e plotë të rrugës dhe vendosjen e një pike kufitare funksionale në Çakorr.

Shpërndaje në rrjete sociale