Rama për “Paketën e Maleve”: U krijua nga problemet e ligjit 7501, nuk i shërben investitorëve të mëdhenj

19:04 | 20 Prill 2026
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Qeverisjen Vendore Ervin Demo, ministri i Drejtësisë Toni Gogu, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, si dhe drejtuesja politike e qarkut Tiranë, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me përfaqësues të agroturizmit në Tiranë për të prezantuar “Paketën e Maleve”.

Programi synon të japë një impuls të ri industrisë së turizmit në vend, duke mbështetur zhvillimin e zonave rurale dhe duke adresuar problemet e trashëguara nga ligji 7501.

Rama shpjegoi se ky projekt është menduar për të dhënë zgjidhje për një problem të madh që ka penguar investimet në zonat rurale.

Rama shpjegoi arsyen pse lindi ky projekt, qw sikurse ai tha “Paketa e Maleve ka lindur nga nevoja për t’i dhënë drejtim një problemi shumë të madh, që është ligji 7501. Shumë vetë kanë para, por nuk kanë titullin e pronësisë. Tashmë, me anë të Paketës së Maleve, mund të investojë çdokush, duke marrë leje tek Bashkia. Bashkia e merr kërkesën, afishon një listë për 45 ditë dhe e bën publike kërkesën. Nëse nuk ka kundërshti, lista kalon në Këshillin Bashkiak, që e miraton. Nuk merr titull pronësie menjëherë, por ke të drejtë vetëm të investosh aty. Vetëm pasi ke përfunduar ndërtimin, ti e merr titullin e pronësisë. Nëse shfaqet dikush që pretendon pronën me argumente, atëherë merret shteti me atë person. Programi është vetëm për ata që duan të ndërtojnë në tokën e paraardhësve dhe do ketë gjithë mbështetjen tonë.”

Duke iu referuar keqinterpretimit të programit, Rama sqaroi se “Paketa e Maleve, besoj që gjithsecili prej jush mund të dojë të ketë një rrjet agroturizmi dhe për këtë shërben paketa. Ndryshe nga çfarë është keqtrajtuar apo deformuar në media, nuk është një paketë për kompanitë e mëdha apo investitorët. Nuk është një paketë për të dhënë territore publike për zhvillime private; nuk është ky qëllimi dhe objekti i saj. Ajo ka lindur nga nevoja për t’i dhënë drejtim një problemi shumë të madh, të ligjit 7501 dhe konfliktit me këtë ligj.”

Edi Rama shpjegoi edhe mënyrën se si funksionon procedura e aplikimit për “Paketën e Maleve”, duke theksuar transparencën dhe thjeshtësinë e saj.

“Me Paketën e Maleve kjo bëhet e mundur duke aplikuar pranë bashkisë. Bashkia e merr dhe afishon një listë për 45 ditë. Nëse nuk ka kundërshti, lista kalon në Këshillin Bashkiak, i cili e miraton. Personi aplikon me projektin, miratohet projekti dhe ndërton. Vetëm pasi ke përfunduar ndërtimin, ti merr titullin e pronësisë mbi atë ndërtim. Nuk ka titull pronësie pa investuar në atë tokë. Nëse shfaqet dikush tjetër që pretendon pronën, atëherë i takon shtetit që ta kompensojë personin.”

Në fund, Kryeministri u ndal edhe te rëndësia e shërbimit në turizëm.

“Shërbimi është shumë i rëndësishëm dhe çmimet duhet të jenë jo të larta, aq sa të lemeriset turisti. Ka shumë rëndësi kjo pjesë, që Shqipërinë ta vizitojnë sa më shumë njerëz. Për këtë, na duhet një kulturë e mirë e shërbimit. Turizmi duhet të jetë prioritet i yni, sepse sjell të ardhura të qëndrueshme dhe rrit ekonominë e vendit.”

1 / 9
/rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale