Pas fitores 2-1 ndaj Arsenal, trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, vlerësoi maksimalisht kundërshtarin dhe e cilësoi ndeshjen si një përballje të nivelit më të lartë në Premier League.
Guardiola e quajti këtë sfidë një “reklamë të shkëlqyer” për futbollin anglez, duke theksuar intensitetin dhe agresivitetin e madh të Arsenalit.
“Është një reklamë shumë e mirë për Premier League. Ata nuk të lejojnë të ndërtosh lojën, janë shumë agresivë, shumë të fortë në duele. Është një nga skuadrat më konkurruese që kam përballur në karrierën time sa i përket dueleve, një kundër një dhe topave të gjatë”, deklaroi ai.
Ai pranoi se ndeshja ishte një përballje mes dy skuadrave dhe trajnerëve të mëdhenj, duke theksuar gjithashtu lodhjen nga kalendari i ngarkuar.
“Ishin dy ekipe me trajnerë shumë të mirë dhe lojtarë të nivelit më të lartë nga të dyja anët. Por tani luajmë çdo tre ditë, është shumë e vështirë dhe kërkuese.”
Guardiola foli edhe për situatën në tabelë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së fokusit pavarësisht pozitës aktuale.
“Por realiteti është vetëm një: ata janë në krye të tabelës. Janë përpara vetëm me golaverazh. Ne duhet ta shijojmë këtë, ta festojmë dhe të marrim gjërat pozitive. Por nuk duhet ta humbim fokusin. Pas tri ditësh udhëtojmë drejt Burnleyt.”
Tekniku i Cityt u shpreh i kënaqur që skuadra e tij vazhdon të mbajë gjallë shpresat deri në fund të sezonit.
“Jam i lumtur sepse mund ta rrisim shpresën. Ndoshta do të shkojë deri në fund dhe ne do të provojmë.”
Ai komentoi edhe formën e Arsenalit, duke kundërshtuar zërat për rënie të tyre dhe duke treguar respekt maksimal për rivalin.
“Momentumi ndryshon. Disa më thanë se momentumi i Arsenalit është i keq, por ajo që pashë sot nuk ishte e tillë. Ata janë në gjysmëfinale të UEFA Champions League dhe nuk kanë humbur asnjë ndeshje. Gjithçka mund të ndryshojë në një moment dhe ata e dinë këtë. Kam shumë respekt për ta.”
Në fund, Guardiola pranoi se skuadra e tij kishte presion në disa momente, sidomos nga lojtarët me më pak eksperiencë në kampionat.
“Sigurisht që donim të fitonim, sepse luftuam shumë sot. Disa lojtarë që nuk kanë luajtur shumë në Premier League e ndjenë presionin dhe në disa raste nuk ishim në nivelin më të lartë”, përfundoi trajneri i Manchester Cityt./Arbresh.info
Punime në rrjet, KEDS tregon ku do të ketë ndërprerje të rry...
Ankandi i Titanik/ Jeleku i shpëtimit i anijes ‘fatkeqe’ shi...
Anijet turistike zvicerane dhe gjermane largohen nga Ngushti...
Netanyahu: Situata me Iranin nuk ka përfunduar
Muriqi për humbjen nga Turqia: Ëndrra ime u shua për 90 minu...
Rruga “Dardania” në Fushë Kosovë ende larg përfu...