Ardian Gjini nuk është më kryetar i AAK-së në Gjakovë

20:12 | 19 Prill 2026
E.G

Gjakova e dijes, kulturës dhe atdhedashurisë vazhdon t’i besojë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës udhëheqjen e komunës për shumë mandate me radhë.

Kështu ka deklaruar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor të X-të të Degës në Gjakovë.

Haradinaj vlerësoi lart qeverisjen lokale në këtë komunë nën drejtimin e kryetarit Ardian Gjini, duke e cilësuar atë si një ndër më të suksesshmit në nivel lokal. Sipas tij, Gjakova ka fituar dinjitetin e një qyteti që zhvillohet përmes punës, përkushtimit dhe rezultateve konkrete.

“Investimet e shumta, projektet transformuese dhe qasja e drejtë ndaj çdo qytetari e kanë kthyer Gjakovën në një model të mirëqeverisjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, theksoi Haradinaj.

Ai bëri të ditur se kjo mbështetje dhe vendosmëri për të vazhduar rrugën e zhvillimit u konfirmua edhe në Kuvendin Zgjedhor, ku u zgjodhën strukturat e reja drejtuese të Degës së AAK-së në Gjakovë.

Haradinaj përgëzoi Flamur Fetahajn për zgjedhjen si kryetar i Degës, duke e cilësuar atë si një kuadër të dëshmuar dhe të përkushtuar në shërbim të qytetarëve.

“Mirënjohje për kryetarin e deritanishëm të Degës, Ardian Gjini, dhe të gjitha strukturat që ndër vite kanë dhënë kontribut të çmuar që Aleanca të jetë forca e parë politike në Gjakovë”, citohet Haradinaj në komunikatë.

Shpërndaje në rrjete sociale