Qeveria ashpërson masat për ndotjen, Shqipëria drejt standardeve të reja evropiane për cilësinë e ajrit

18:32 | 6 Prill 2026
E.G

Këshilli i Ministrave pritet të miratojë së shpejti një projektvendim të ri që do të zëvendësojë plotësisht legjislacionin e vitit 2015 mbi cilësinë e ajrit të mjedisit. Ky draft i ri synon të përafrojë standardet kombëtare me direktivat më të fundit të Bashkimit Evropian, duke vendosur rregulla shumë më të forta për monitorimin dhe menaxhimin e ndotësve.

Çfarë sjell drafti i ri?

Ndryshimet e propozuara janë thelbësore. Sipas relacionit shpjegues bashkëngjitur projektvendimit, “legjislacioni i vjetër nuk arrinte të reflektonte kërkesat bashkëkohore, ndaj është zgjedhur rruga e një ristrukturimi të plotë në vend të një amendimi të pjesshëm”.

Për herë të parë, dokumenti integron ndotës të rinj dhe indikatorë shtesë për cilësinë e ajrit, “përfshirë monitorimin e rreptë dhe specifik të grimcave PM10 dhe PM2.5, oksideve të azotit, hidrokarbureve dhe metaleve të rënda”. Krahas zgjerimit të listës së ndotësve, do të aplikohen metodologji të reja për matjen dhe modelimin e ajrit, të cilat do të japin një pasqyrë shumë më të qartë të situatës në terren, shkruan rtsh.al.

Ndikimi në shëndet dhe kostoja financiare

Krijimi i këtij kuadri të konsoliduar pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe pozitiv në shëndetin publik. Identifikimi më i saktë i burimeve të ndotjes do t’u japë mundësi autoriteteve të ndërhyjnë në kohë për reduktimin e tyre.

Sa i përket faturës financiare, zbatimi i këtij vendimi nuk parashikon një ngarkesë të menjëhershme shtesë për buxhetin e shtetit. Megjithatë, drafti bën të qartë se në të ardhmen do të kërkohen investime graduale për të modernizuar dhe mbajtur në funksion rrjetin kombëtar të monitorimit.

/rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale