Me ftesë të Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Melania Trump, Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, z. Prindon Sadriu, nisi sot aktivitetet e tij në kuadër të Samitit inaugurues të Koalicionit “Fostering the Future Together”, i cili po mbahet në Washington D.C. Qëllimi kryesor i këtij samiti dyditor është mbrojtja e mirëqenies së fëmijëve nëpërmjet edukimit, inovacionit dhe teknologjisë.
Sipas njoftimit, takimet fillestare të samitit u zhvilluan në Departamentin Amerikan të Shtetit, ndërsa takimi i nivelit të lartë, ku do të marrin pjesë 45 Zonja dhe Zotërinj të Parë nga anembanë bota, do të mbahet nesër në Shtëpinë e Bardhë. Kosova është nderuar që të jetë ndër 45 shtetet e përzgjedhura nga Shtëpia e Bardhë për të marrë pjesë në këtë Samit, shkruan Arbresh.info.
Gjatë takimeve në Departamentin Amerikan të Shtetit, Zotëria i Parë Sadriu u takua me Zv. Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Christopher Landau, bashkëbisedoi me homologë nga shtete pjesëmarrëse, si dhe me përfaqësues të kompanive lider të teknologjisë që janë pjesë e këtij koalicioni global, përfshirë OpenAI, Microsoft, Google, Meta, xAI, Palantir, Adobe dhe Zoom Communications. Në bashkëbisedime me kompanitë globale të teknologjisë, u diskutua se si Kosova do të përfitojë nga shërbimet dhe plaformat që ato ofrojnë për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë.
Në këto takime, ai prezantoi potencialin e Kosovës dhe përkushtimin e Presidentes Vjosa Osmani dhe të vendit tonë për të ndërtuar një të ardhme digjitale që fuqizon të rinjtë dhe mbron fëmijët në hapësirën online.
Me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Kosova iu bashkua kësaj nisme ndër shtetet e para në botë, duke dëshmuar përkushtimin për të siguruar që fëmijët dhe të rinjtë të përfitojnë nga mundësitë që ofron epoka digjitale, duke vendosur gjithnjë në fokus mbrojtjen dhe mirëqenien e tyre./Arbresh.info
SHBA-të hartojnë një plan me 15 pika për t’i dhënë fun...
Këto gjëra që i bëjmë në fundjavë mund të ndikojnë negativis...
Analistët: Konflikti në Lindjen e Mesme ndikon në ekonominë ...
Trump miraton vendosjen e më shumë se 1,000 ushtarëve shtesë...
Vuçiqi pretendon se iu ofrua Nobeli për njohje të Kosovës
Kurti kujton rezistencën heroike në Gllogjan