Lukáš Haraslín, një nga lojtarët më të rëndësishëm të Sllovakisë, ka folur me shumë respekt për Kosovën para përballjes së radhës e vlefshme për gjysmëfinalen e play-offit të Kupës së Botës.
Kapiteni i Spartës së Pragës, i cili mund ta zhvillojë ndeshjen e tij të 50-të me Kombëtaren e Sllovakisë kundër Kosovës, ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Sllovakisë.
Sulmuesi 29-vjeçar e vlerësoi lart përfaqësuesen e Kosovës, duke e cilësuar si kundërshtar shumë të fortë.
“Na pret një kundërshtar i vështirë dhe kërkues. Kemi parë në çfarë grupi të fortë ka luajtur Kosova dhe si ka arritur të fitojë ndaj ekipeve të forta në Ligën e Kombeve. Lojtarët e tyre janë në formë shumë të mirë, prandaj do të jetë një ndeshje e vështirë. Megjithatë, pres që të përgatitemi mirë”, deklaroi Haraslín.
Ai theksoi rëndësinë e këtij dueli, duke shtuar se gjithçka vendoset në një ndeshje të vetme.
“Nëse do të ishin dy ndeshje, ndoshta do të ishte më taktike. Por kështu, gjithçka fillon nga 0:0 dhe mund të zgjasë 90 apo 120 minuta. Ne jemi të fokusuar vetëm te kjo ndeshje dhe duhet të përgatitemi maksimalisht. Nuk shikojmë çfarë ndodh më vonë, por vetëm të enjten”, u shpreh ai.
Një detaj interesant është se te Sparta e Pragës, Haraslín është bashkëlojtar me sulmuesin e Kosovës, Albion Rrahmani.
Të dy kanë qenë ndër lojtarët më vendimtarë këtë sezon në elitën çeke, me 10 gola për Haraslín dhe 9 për Rrahmanin.
Duke folur për raportin me të, sllovaku tregoi edhe një moment interesant:
“Kemi marrëdhënie shumë të mirë dhe luajmë së bashku në sulm. Ai madje bëri shaka duke thënë se do të donte të luante në anën e djathtë të mbrojtjes së Kosovës për të më ndalur. Natyrisht ishte shaka. Tani do të jemi kundërshtarë dhe secili do të luftojë për ekipin e tij. Do të shohim kush do të dalë fitues”, tha ai.
Në fund, Haraslín theksoi se mbështetja e tifozëve do të jetë e rëndësishme për Sllovakinë, por gjithçka do të vendoset në fushë.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë, por besoj se do të përfundojë me një fund të lumtur për ne”, përfundoi ai.
Ndeshja mes Sllovakisë dhe Kosovës zhvillohet në Bratislavë të enjten me fillim nga ora 20:45./Arbresh.info
Hoti pret në takim shefen e UNICEF-it në Kosovë, diskutohet ...
Bashkimi e mbyll pjesën e parë në epërsi ndaj Prishtinës
Rama: Çdo automjet që bart mbeturina dhe nuk ka kontratë me ...
Merz: Mirënjohës Trump për shtyrjen e sulmeve kundër termoce...
Dosja e Prokurorisë Speciale zbulon një skemë ku ishte i pëf...
Zbulohen tre opinionistët e Ferma VIP