Ndalohet një person i dyshuar që kanosi dëshmitarin bashkëpunues në çështjen penale “Brezovica”

10:03 | 23 Mars 2026
E.H

Prokuroria Themelore në Ferizaj,Departamenti për Krime të Rënda, njofton se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, të dyshuarin me iniciale R.K.,- Komuna Skenderaj, për shkak të dyshimit të veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“I pandehuri R.K., më 21 Mars 2026, në restaurantin “Mero” cili gjendet në fshatin Uglar- Komuna -Fushë Kosovë, ka kanosur seriozisht se do ta vras të dëmtuarin i cili ishte i pranishëm në një dasëm, me fjalët “vetëm qenke me femijë se pa të vra në këtë vend nuk e kisha lan”, i cili është edhe dëshmitar bashkëpunues në çështjen penale të njohur si “Brezovica” me qëllim të frikësimit të tij që të përmbahet nga dhënia e deklaratave në këtë çështje penale e cila është në shqyrtim gjyqësor në Gjykatën Themelore në Pejë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, vlen të theksohet se personi i ndaluar R.K., ka qenë i pandehur edhe në rastin “Brezovica.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit të lartëpërmendur, brenda afatit ligjor do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Pejë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale