SPAK zbaton vendimin e gjykatës, i dorëzon Veliajt në paraburgim aktet hetimore

13:17 | 11 Mars 2026
E.H

SPAK urdhëroi Byronë Kombëtare të Hetimit që t’i dorëzonte kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, aktet hetimore në paraburgim.

Mësohet se pasditen e së martës, 72 fashikuj me rreth 28 mijë faqe janë dërguar me një furgon në IEVP Durrës, ku Veliaj ndodhet i arrestuar. Ky veprim është kryer në përputhje me vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila pranoi kërkesën e Veliajt.

Gjykata vendosi që një oficer i BKH të vendosë në dispozicion të Veliajt aktet e fashikujve hetimorë, brenda mjediseve të paraburgimit ku ai ndodhet.

Kujtojmë që Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit prej datës 10 Shkurt 2025 dhe vazhdon të jetë në detyrë si kryebashkiak, pasi Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë dhe anuloi Dekretin e Presidentit për zgjedhje të parakohshme në Tiranë.

SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen më 10 shtator, duke e akuzuar kryebashkiakun për korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Shpërndaje në rrjete sociale