Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj përzgjedhjes së Mojtaba Khamenei si udhëheqësi i ri suprem i Iran, pas vdekjes së babait të tij Ali Khamenei në goditjet e para të luftës.
Duke folur me gazetarët në Florida, Trump u shpreh i “zhgënjyer” nga vendimi i udhëheqjes iraniane dhe e cilësoi zgjedhjen e Mojtaba Khameneit si një “gabim të madh”. Sipas tij, kjo trashëgimi tregon se regjimi në Teheran nuk synon të ndryshojë kursin e tij ndaj SHBA-së dhe Perëndimit.
Në një deklaratë për NBC News, presidenti amerikan tha se nuk është e sigurt nëse lidershipi i ri “do të zgjasë”, duke lënë të kuptohet se zgjedhja e klerikut 56-vjeçar mund të sjellë probleme të reja për vendin.
Trump kishte shprehur që më parë kundërshtimin e tij ndaj një skenari të tillë. Në intervista për Reuters dhe Axios ai kishte deklaruar se “djali i Khameneit është i papranueshëm” dhe se SHBA dëshiron një udhëheqës që mund të sjellë “harmoni dhe paqe në Iran”.
Presidenti amerikan theksoi gjithashtu se Uashingtoni dëshiron të ketë rol në procesin e formësimit të udhëheqjes së ardhshme në Iran pas luftës, duke argumentuar se vendi duhet të drejtohet nga një person i aftë për të ndryshuar kursin në mënyrë paqësore.
I pyetur nëse Mojtaba Khamenei mund të jetë një objektiv i mundshëm, Trump shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke thënë se do të ishte “e papërshtatshme” të komentonte publikisht për këtë çështje. Megjithatë, ai paralajmëroi se çdo udhëheqës i ri iranian që nuk ka “miratimin” e Shteteve të Bashkuara “nuk do të zgjasë shumë”.
Sipas mediave ndërkombëtare si Reuters dhe Associated Press, ngritja e Mojtaba Khameneit shihet si një shenjë se linja e ashpër mbetet dominuese në sistemin politik iranian. Kleriku konsiderohet prej kohësh një pretendent kryesor për trashëgiminë dhe ka lidhje të forta me Gardën Revolucionare Islamike.
Reagimi i Trumpit përforcon mesazhin e Uashingtonit se SHBA nuk e sheh udhëheqësin e ri suprem si një ndryshim real në politikën e Teheranit dhe se pret zhvillime të tjera në strukturën e pushtetit në Iran.
Belgrano fiton titullin historik pas rikthimit të çmendur nd...
Arrestohen dy kosovarë në Maqedoni, dyshohen se transportoni...
Policia ekstradon nga Zvicra të dyshuarin për “Dhunim”
Policia spanjolle kundër korrupsionit bastis selinë e partis...
Bie çmimi i naftës në Shqipëri, ndryshon edhe benzina
Situata në Gaza dhe Palestinë/ Erdogan sulmon ashpër kryemin...