Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone tejet të ashpra ndaj sulmit të fundit të ndërmarrë nga Irani kundër infrastrukturës civile në rajonin e Nahçivanit, në Azerbajxhan. Përmes një deklarate zyrtare, kreu i qeverisë shqiptare jo vetëm dënoi agresionin që la pas civilë të plagosur, por i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar ta izolë plotësisht Teheranin dhe ta njohë atë si një “shtet terrorist”.
Kryeministri Rama e cilësoi sulmin mbi Nahçivanin si një akt të rëndë dhe të papranueshëm të “Republikës Khomeiniste të Iranit” kundër vendeve fqinje. Sipas tij, i vetmi “mëkat” i këtyre shteteve është progresi dhe hapja e tyre ndaj botës.
Kreu i qeverisë nuk i ka kursyer epitetet e forta ndaj qeverisë iraniane, duke u shprehur se zhvillimi i vendeve fqinje e bën Iranin të duket “edhe më i errët dhe më i verbër nën regjimin e tij satanik”. Ai nënvizoi se kur një shtet shkel kufijtë sovranë dhe godet qëllimisht infrastrukturën civile, vija ndarëse midis agresionit ushtarak dhe terrorizmit zhduket plotësisht.
Solidariteti i palëkundur me Bakunë
Në deklaratën e tij, Rama rikonfirmoi aleancën strategjike dhe miqësinë e ngushtë mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit. Ai vlerësoi rrugëtimin e këtij të fundit që prej shkëputjes nga Bashkimi Sovjetik, duke theksuar se krenaria kombëtare, qëndrueshmëria dhe gatishmëria për bashkëpunim i kanë dhënë popullit azerbajxhanas respektin e komunitetit ndërkombëtar.
“Ne qëndrojmë të palëkundur me Azerbajxhanin, me udhëheqjen e tij të fortë dhe me popullin e tij krenar,” deklaroi Kryeministri, duke shtuar se qytetarët azerbajxhanas meritojnë vetëm siguri dhe liri nga frika.
Një dimension i rëndësishëm i deklaratës së Ramës ishte vendosja e këtij sulmi në një kontekst më të gjerë gjeopolitik. Ai theksoi se përpjekjet e Teheranit për të terrorizuar civilët synojnë të destabilizojnë rajonin dhe të provokojnë vendet paqedashëse. Kjo, sipas Kryeministrit, vjen si një reagim i dëshpëruar kundër asaj që ai e quajti një “përgjigje plotësisht të justifikuar të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Republikës Khomeiniste”.
Apeli për komunitetin ndërkombëtar
Në mbyllje të reagimit të tij, kreu i qeverisë shqiptare apeloi për një qasje të re dhe të bashkuar nga të gjitha shtetet dhe institucionet që mbrojnë rendin ndërkombëtar. Ai kërkoi që bota jo thjesht të distancohet, por ta izolojë në çdo formë të mundshme regjimin e Teheranit, duke rënë dakord për natyrën e tij të vërtetë si një shtet që eksporton dhunë.
“Agresioni duhet të izolohet dhe agresorët duhet të dënohen pa asnjë mëdyshje. Ata që zgjedhin rrugën e dhunës duhet të përballen me unitetin gjithnjë e më të madh të atyre që zgjedhin paqen,” përfundoi Rama.
Deklarata e plotë e kryeministrit Rama
Sulmi i ndërmarrë kundër territorit të Azerbajxhanit, që ka vënë në shënjestër infrastrukturën civile në rajonin e Nahçivanit dhe ka plagosur civilë, është edhe një akt tjetër i rëndë dhe i papranueshëm agresioni nga Republika Khomeiniste e Iranit kundër vendeve fqinje, “mëkati” i vetëm i përbashkët i të cilave është se shkëlqejnë në skenën botërore përmes zhvillimit, prosperitetit dhe hapjes, duke përmirësuar çdo ditë jetën e popujve të tyre dhe duke e bërë Iranin të duket edhe më i errët dhe më i verbër nën regjimin e tij satanik.
Azerbajxhani është një mik dhe aleat i çmuar i Shqipërisë, një komb që është ngritur lart që prej rifitimit të pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik. Krenaria e tij kombëtare, qëndrueshmëria dhe përkushtimi ndaj zhvillimit, të ndërthurura me gatishmërinë për moderim dhe me krahët e hapur për bashkëpunim me të gjithë, kanë fituar respektin e shumëkujt në mbarë botën.
Populli azerbajxhanas, ashtu si edhe popujt e vendeve të tjera që janë vënë pa arsye në shënjestër ditët e fundit, meriton vetëm respekt, siguri dhe liri nga frika.
Çdo përpjekje e regjimit të lig në Teheran për të terrorizuar popullsinë civile ose për të destabilizuar vende fqinje paqedashëse me qëllim që t’i provokojë ato kundër përgjigjes plotësisht të justifikuar të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Republikës Khomeiniste, jo vetëm që duhet të dënohet me qartësinë më të madhe, por duhet të shërbejë edhe si një arsye tjetër për ta izoluar plotësisht atë regjim në çdo mënyrë të mundshme nga çdo pjesë e mundshme e botës.
Kur infrastruktura civile e vendeve të tjera vihet në shënjestër dhe kufijtë sovranë shkelen, vija ndarëse midis agresionit dhe terrorizmit zhduket. Pikërisht për këtë arsye ka ardhur koha që të gjitha shtetet dhe institucionet që besojnë në stabilitet, në rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe në bashkëjetesën paqësore, jo thjesht të distancohen nga një regjim që në mënyrë të përsëritur eksporton dhunë dhe frikë përtej kufijve të tij, por të bien dakord për atë që ai në të vërtetë është: një Shtet Terrorist.
Ne qëndrojmë të palëkundur me Azerbajxhanin, me udhëheqjen e tij të fortë dhe me popullin e tij krenar.
Rruga përpara duhet të jetë e qartë. Agresioni duhet të izolohet dhe agresorët duhet të dënohen pa asnjë mëdyshje. Ata që zgjedhin rrugën e dhunës duhet të përballen me unitetin gjithnjë e më të madh të atyre që zgjedhin paqen./rtsh.al/
Nis seanca për ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e Presid...
Talenti 19-vjeçar i Real Madridit pritet të debutojë ndaj Ce...
Hamza para seancës: Shumica e deputetëve nuk i kanë amendame...
Seanca për ndryshimet kushtetuese për presidentin, Kuvendi d...
Çfarë parashohin amendamentet e propozuara për presidentin
Ftohet seanca për ndryshimet kushtetuese