Vulin kërcënon Kosovën dhe Kurtin, Sveçla: As Vulin, as Vuçiq, as nuk mund të na frikësojnë e as të na ndalin

11:13 | 4 Mars 2026
E.K

Shefi i Lëvizjes Socialiste në Serbi dhe ish-drejtor i BIA, Aleksandar Vulin, ka kërcënuar Kosovën, kryeministrin Albin Kurti dhe çdo individ që, sipas tij, ndjek politika antiserbe.

Në një intervistë për mediat serbe, Vulin deklaroi se Serbia duhet të veprojë në Kosovë njësoj si Izraeli dhe Mossadi, duke ndjekur persona që ai i konsideron “armiq”. Ai shtoi se “BIA di ta bëjë këtë punë” dhe se nuk ka frikë nga pasojat.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, reagoi duke e cilësuar deklaratën si “e papranueshme dhe thellësisht kërcënuese”, duke shtuar se gjuha e këtij lloj kërcënimi përbën precedent të rrezikshëm ndaj Kosovës dhe kryeministrit Kurti.

Sveçla theksoi se Vulin ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe është vendosur në listën e sanksioneve nga SHBA-të për bashkëpunim me aktorë rusë të inteligjencës. Ai kujtoi gjithashtu precedentët historikë të inteligjencës serbe në vrasjet e veprimtarëve shqiptarë si Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Postimi i plotë:

Deklarata e ish-drejtorit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, e bërë në kontekst të zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, ku ai përmend modelin e Mossad-it dhe shtron pyetjen “kur mundet Izraeli, pse nuk mundemi edhe ne”, është e papranueshme dhe thellësisht kërcënuese.

Të importosh analogji nga një konflikt me dinamikë lufte të hapur, kërcënime të armatosura dhe operacione të shpallura kundër aktorëve të konsideruar armiq, dhe t’i aplikosh ato në raport me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë në Ballkan.

Është e njohur se Aleksandar Vulin ka pasur marrëdhënie të ngushta politike e institucionale me Rusinë, përfshirë struktura të inteligjencës, si dhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic. Për shkak të aktivitetit të tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vendosur në listën e sanksioneve, duke përmendur ndër të tjera lidhje dhe bashkëpunim me aktorë rusë të inteligjencës.

Historia jonë e afërt dëshmon se strukturat e inteligjencës serbe kanë qenë të përfshira në vrasjen e veprimtarëve të shquar politikë shqiptarë, si Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Prandaj, kur Vulin deklaron se inteligjenca serbe “di ta bëjë këtë”, ai i referohet një precedenti të rrezikshëm.

Mbetet i papranueshëm tolerimi i gjuhës kërcënuese dhe i aspiratave për veprime të dhunshme apo cënim të sovranitetit të vendeve të tjera.

Në këtë kontekst, në javën e dytë të muajit shkurt, dy shtetas bjellorusë dhe një shtetas rus, pasi fillimisht kishin qëndruar në Serbi, hynë ilegalisht në Kosovë të kamufluar. Ata u ndaluan dhe u arrestuan nga institucionet tona të sigurisë dhe rasti është në trajtim. Përveç përvojës së tyre ushtarake, trajnimeve specialistike me eksploziv dhe lidhjeve me Serbinë, ata posedonin pajisje për orientim, kamuflim dhe realizim të planeve operative – elemente që përkojnë me retorikën e artikuluar nga Vulin.

Kjo deklaratë përbën një precedent të rrezikshëm dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit të saj, z. Albin Kurti. Përveç lidhjeve të dokumentuara me Rusinë, Vulin njihet gjerësisht si zë artikulues i qëndrimeve të Presidentit Aleksandar Vucic.

Institucionet e Republikës së Kosovës, në nivel të lartë profesionalizmi, po e përmbushin mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor. Ato janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin. Njëkohësisht, ne si bartës të institucioneve nuk zbrapsemi përballë këtyre kërcënimeve dhe do të vazhdojmë rrugën tonë drejt forcimit të Republikës sonë të pavarur dhe sovrane.

Përpjekjet e Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit duhet të kenë vëmendjen e plotë të faktorëve relevantë ndërkombëtarë.

E as Vulin, as Vuçiq, as nuk mund të na frikësojnë e as të na ndalin./Arbresh.info

Vulin: Serbia të veprojë në Kosovë sikur Izraeli kundër Mosadit