Ambasadorja shqiptare në Tel Aviv: Janë 11 shqiptarë në Izrael – alarme të sulmeve ka vazhdimisht

17:58 | 28 Shkurt 2026
E.K

Ambasadorja shqiptare në Izrael, Meri Kumbe, ka folur për situatën atje pas kundërpërgjigjes së Iranit me sulm gjatë ditës së sotme.

“Më duhet të largohem, ka alarme. Më duhet të futem te dhoma e sigurisë”, ka thënë Kumbe gjatë një lidhjeje direkte për Klan News.

Gjatë intervistës, Kumbe tregoi se cilat janë caqet e sulmeve dhe përshkroi situatën aktuale.

“Janë pak a shumë të ngjashme me ato të qershorit të kaluar, çdo gjë është e mbyllur, ‘lockdown’. Duhet të minimizojmë maksimalisht lëvizjen të paarsyeshme në hapësira publike. Duhet të qëndrojmë pranë dhomave të sigurta. Ka pasur alarme çdo 7-10 minuta së fundmi”.

“Sidomos [cak janë] Ministria e Mbrojtjes në Tel Aviv apo bazat ushtarake. Gjendja e sigurisë është shpallur deri më 2 mars”, ka thënë Ambasadorja shqiptare.

Kumbe tha se të vetëdeklaruar janë 11 qytetarë shqiptarë që ndodhen në Izrael për studime.

“Janë nxënës shkolle, disa studentë, një vajzë turiste dhe dy qytetarë të tjerë të cilët ndodhen në Izrael për vizitë te familjarët e tyre. Komuniteti shqiptaro-hebraik, që janë rreth 1 mijë persona, janë mirë të gjithë. Qytetarët e tjerë janë shëndosh e mirë, i kemi udhëzuar me rregullat e sigurisë”, u shpreh më tej ajo.

Kumbe po ashtu zbuloi se aktualisht në Izrael po funksionojnë vetëm shërbimet esenciale, si spitalet, farmacitë apo supermarketet.

“Çdo gjë tjetër është e pezulluar! Hapësira ajrore është po ashtu e pezulluar për shkak të ndërveprimeve ushtarake dhe raketave që vijnë në drejtim të Izraelit”, deklaroi ambasadorja shqiptare në Izrael, Meri Kumbe.

Të ngjashme