Ministrja e Arsimit në RMV nuk i lejon të flasin shqip, momenti kur gazetarët i heqin mikrofonin

17:38 | 26 Shkurt 2026
E.G

Ministria e Arsimit në Maqedoninë e Veriut, Vesna Janevska, për të disatën herë me radhë tenton të disiplinojë gazetarët dhe politikanët shqiptarë për të komunikuar në maqedonisht, ku ajo vetë është prezente

Gjatë një ngjarjeje ku debatoi për ndryshimet e ligjit të arsimit të lartë, Janevska vazhdimisht kërkonte nga profesorët dhe drejtuesit e Universitetit të Tetovës që të flisnin maqedonisht, sepse ajo nuk arrinte t’i kuptonte, edhe pse e kishte të qartë paraprakisht se kishte shkuar në debat me një universitet ku flitej gjuha shqipe.

Gazetarët i replikuan duke i thënë se duhet të kishte marrë përkthyes me vete, por ajo insistoi se gjuha zyrtare në Maqedoninë e Veriut është gjuha maqedonase dhe se të gjithë janë të detyruar ta flasin këtë gjuhë.

Gazetari: A mendoni se herën tjetër duhet të merrni përkthyes me vete për ta kuptuar gjuhën shqipe?

Ministrja e Arsimit: Maqedonia e Veriut ka një gjuhë zyrtare dhe një tjetër që e flasin komunitetet. Unë ndodhem në Tetovë ku flitet gjuha shqipe, unë nuk duhet të kem përkthyes, ju duhet ta dini gjuhën maqedonase. Unë pak kuptoj, por që mos të gaboj në përkthim, ju lutem që të më përktheni në mënyrën më të kultivuar.

Gazetari: Herën tjetër kur të vini në Tetovë duhet të merrni një përkthyes, ua detyron ligji.

Ministrja e Arsimit: Nuk më detyron ligji. A doni të flasim për ligjin dhe ta prishim ngjarjen e bukur për të cilën kam ardhur? Ju faleminderit!

Kjo nuk është hera e parë që ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, nxjerrr probleme me shqipen ose me festat shqiptare, ku në një rast tjetër i kërkoi kryetarit të Tetovës, Bilall Kasamit, të fliste maqedonisht sepse nuk e kuptonte, por Kasami vazhdoi komunikimin me gazetarët në gjuhën shqipe.

Ndërkohë, partia opozitare shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, ka reaguar ashpër për këtë ngjarje, duke thënë se deklarimet e ministres dhe qëndrimet e saj se në vend ka një gjuhë zyrtare dhe një tjetër që e flasin komunitetet, janë relativizim dhe nënvlerësim i shqipes.

“BDI i rikujton se gjuha shqipe nuk është gjuhë komuniteti, por gjuhë zyrtare e garantuar në Kushtetutë dhe ligj. Ajo nuk është një çështje dëshire personale e një ministreje, por detyrim institucional”, përfundon reagimi i partisë opozitare Bashkimi Demokratik për Integrim.

Të ngjashme