Dënohet me 22 vjet burgim i akuzuari për vrasjen në një supermarket në Podujevë

09:33 | 26 Shkurt 2026
E.H

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Arsim Syla, për vrasjen e V.B., në “Interex”, duke e dënuar me 22 vjet burgim.

Në këtë rast, Arsim Syla akuzohej për vrasjen e V.B., më 2023 në “Interex” në Podujevë, në bashkëkryerje me djalin e tij të mitur L.S., raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku dhe anëtarët Gent Beka dhe Sulltane Hoti.

Sipas gjykatëses Dermaku, Syla është fajtor dhe dënohet me 22 vjet burgim, në të cilin i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Kjo masë i vazhdohet deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

E dëmtuara Lirije Sylejmani për realizmin e kërkesës pasurore- juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.

I akuzuari obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës dhe atë për paushallin gjyqësor 200 euro dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, i akuzuari nuk ishte i pranishëm në shpallje.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 18 mars 2024, kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Arsim Syla, pasi që i njëjti me qëllim të hakmarrjes, për shkak të një konflikti që kishte pasur më herët, gjatë vitit 2022, me tani të ndjerin V.B dhe Sh.R, i pandehuri kishte porositur djalin e tij të mitur L.S, që ta privojë nga jeta tani të ndjerin V.B.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se më 11 shtator 2023 i pandehuri Syla me djalin e tij të mitur L.S, kishin shkuar në kafiterinë e marketit ‘Interex’ në Podujevë, ku rreth orës 12:19, kishin vërejtur tani të ndjerin V.B, duke hyrë në market bashkë me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën L.S dhe fëmijën e tyre 4 vjeçar.

Sipas aktakuzës i pandehuri Syla me djalin e tij L.S, dalin nga restauranti, ku Syla e orienton të miturin L.S në drejtim të të ndjerit V.B, i cili vihet në ndjekje të tij, ndërsa i pandehuri Syla vazhdon për të dalë nga objekti dhe në momentin kur i ndjeri V.B bashkë me bashkëshorten e tij L.S dhe fëmijën e tij arrijnë tek sektori i produkteve të qumështit, i mituri L.S i afrohet nga mbrapa dhe fillimisht shtie dy herë në drejtim të të ndjerit V.B.

Aty thuhet se i njëjti duke e qëlluar në shpinë dhe qafë, njëra nga predhat e tejshkon trupin e tani të ndjerit V.B dhe e qëllon edhe të dëmtuaren bashkëshorten e tij, L.S, e cila fillimisht kishte filluar të ikë në momentin kur kishte dëgjuar krismën, ndërsa i mituri L.S nga çanta kishte nxjerrë revolen tjetër me të cilën qëllon edhe katër herë në kokën e tani të ndjerit V.B, i cili tanimë ishte i shtrirë në tokë.

Si pasojë e këtyre të shtënave nga arma i zjarrit, V.B, vdes në vendin e ngjarjes ndërsa e dëmtuara L.S, dërgohet në QKUK nga plagët e rënda që ka pësuar menjëherë pas të shtënave.

Kurse, i mituri L.S., me shpejtësi kishte dalur nga ‘Interex’ duke u larguar në këmbë në drejtim të panjohur, kurse i pandehuri Syla ishte ofruar tek vetura e tipit ‘Mercedes E200’, të cilën e kishte parkuar përballë ‘Interex’ dhe kishte shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Gllamnik në Podujevë, ku edhe ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, ishin gjetur dhe sekuestruar, një pistoletë dhe një pushkë gjuetie me dylbi me leje për mbajtje, me 62 fishekë të pistoletës si dhe 20 fishekë të pushkës së gjuetisë dhe 2 antiplumba.

Me këtë i pandehuri Arsim Syla ngarkohej se në bashkëkryerje me të miturin L.S, kishte kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme