Nagavci: Osmani ka bërë punë të shkëlqyeshme, por për mandat tjetër nevojiten votat në kuti

18:31 | 25 Shkurt 2026
E.G

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka një emër të përveçëm dhe një qëndrim për emra të tillë për presidentin e ardhshëm, ka thënë kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci.

Derisa presidentja aktuale Vjosa Osmani ka shprehur vullnetin edhe për një mandat e në opinion është diskutuar për një kandidat nga familja Jashari, Nagavci ka theksuar se si Osmani ashtu edhe dikush nga familja Jashari janë emra të respektuar, por se për Osmanin ka lënë të nënkuptohet se mund të mos i ketë numrat e nevojshëm për votim.

“Këta dy emra të përveçëm të dy besoj se ndajmë të njëjtin qëndrim që janë emra të respektuar, puna që presidentja Osmani ka bërë deri tash në përfaqësimin e shtetit ka qenë e shkëlqyeshme, e ka bërë më të mirën e mundshme në interes të Republikës së Kosovës dhe sikur të diskutohej dhe sikur zgjedhje e presidentit të ishte vetëm çështje e vlerësimit të performancës diskutimi do të ishte krejt tjetër. Duke vlerësuar edhe bashkëpunimin që e kemi pasur, përtej përfaqësimit që ka bërë për vendin Osmani dhe përkundër asaj që Osmani e ka bërë të qartë që do ishte e interesuar të vazhdonte edhe një mandat, është e qartë se nevojiten votat në kuti”, ka thënë ajo në emisionin “60 Minuta”.

Nagavci është shprehur optimiste se deri në afatin përfundimtar për presidentin kjo çështje do të zgjidhet. E këtë e ka mbështetur në numrat që janë siguruar në Kuvend për kalimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Jam optimiste se do të gjendet një zgjidhje, këtë e them dhe bazuar në bashkëpunimin e deritanishëm, ndonëse është një kohë e shkurt në legjislaturën e 10-të, por ajo që ishte e rëndësishme ishte që menjëherë pas votimit të qeverisë ne votuam edhe 5 marrëveshjet ndërkombëtare dhe u bë e mundshme që të votohen edhe me votat e deputetëve të LDK-së, PDK-së dhe të tjerëve”, ka shtuar ajo.

Nagavci ka thënë tutje se beson në reflektimin e deputetëve të opozitës që të arrihet marrëveshje për një kandidat për president.

“Klima është shumë pozitive dhe ky fillim i bashkëpunimit në votim të marrëveshjeve në interes të të gjithë qytetarëve ka sjellë deri te një reflektim edhe i deputetëve të opozitës dhe një bashkëpunimi të gjithë neve. Në frymën e kësaj konsideroj se edhe për çështjen e votimit të presidentit do të ketë një pajtueshmëri që të votohet kandidati për të cilin do të arrijmë marrëveshje”, ka përfunduar shefja e GP të LVV-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme