Ballkani Perëndimor drejt integrimit në zonën e roaming-ut të BE-së

13:48 | 25 Shkurt 2026
E.H

Komisioni Evropian ka propozuar hapjen e negociatave me gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor për integrimin e tyre në regjimin e BE-së “Roam Like at Home” (Roaming si në shtëpi).

Siç ka bërë të ditur Komisioni Evropian, sapo marrëveshjet të finalizohen me secilin prej vendeve në fjalë dhe pasi çdo shtet të jetë në përputhje të plotë me rregullat e roaming-ut të BE-së, qytetarët që udhëtojnë midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mund të kryejnë thirrje, të dërgojnë mesazhe me tekst dhe të përdorin të dhënat mobile pa tarifa shtesë roaming-u.

Kjo marrëveshje, kur të arrihet, nënkupton lidhje të pandërprerë me tarifa vendore për qytetarët nga rajoni që vizitojnë zonën e BE-së, si dhe anasjelltas.

Me propozimin për mandatet negociuese të miratuar sot, Komisioni Evropian duhet tani të kërkojë autorizimin e Këshilli i Bashkimit Evropian për të hapur negociatat me partnerët e Ballkanit Perëndimor.

Pasi të miratohet kjo kërkesë, Komisioni Evropian do të hyjë në negociata me secilin shtet të Ballkanit Perëndimor. Përfundimi i suksesshëm i negociatave nënkupton përfshirjen e rajonit në zonën “Roam Like at Home” të BE-së.

Komisioni Evropian thekson se ky propozim është një shembull konkret i qasjes së BE-së ndaj integrimit gradual përpara anëtarësimit të plotë, siç parashikohet në Planin e Rritjes 2023 për Ballkanin Perëndimor.

“Roam like Home” ndryshe ka nisur së zbatuari në territorin e BE-së që nga viti 2017./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale