Konjufca për emrin e presidentit: Nuk duam ta mbështesim opozitën për muri

12:07 | 25 Shkurt 2026
A Z

Numri dy i qeverisë e i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit të Republikës, derisa afati po vazhdon të rrjedhë dhe janë ditët e fundit kur Kuvendi duhet ta zgjedhë kreun e shtetit.

Konjufca tha se konkludimi i tyre është që përmes një emri të përveçëm mos të mbështesin për muri opozitën. “Me i thënë ky është e këtë duhet ta votoni. Pikërisht për këtë arsye Kurti ka bërë thirrje t’i takojë kryetarët e partive opozitare”, tha Konjufca.

Kryediplomati kosovar tha se mazhoranca ka 66 numra në Kuvend, e sipas tij me një emër të propozuar njëanshëm nuk mund të sigurojnë votën e opozitës për t’i bërë 80 numrat e domosdoshëm për zgjedhjen e kreut të shtetit.

“Ajo mazhorancë që është prej 66 numrash në Kuvend, ne jemi bindur që nuk ka mundësi përmes një emri që propozohet, një emër i njëanshëm, ta marrim edhe votën e garantuar të opozitës për t’i bërë 80 vota. Ky është konstatimi i mazhorancës. Nuk po them se është absolut, sepse gjëra absolute në politikë nuk ka, ka të përafërta, por me përafërsi ky është konkludimi i mazhorancës. Ndoshta e kemi gabim, ndoshta e kemi mirë, por ky është konkludimi”, deklaroi ai.

Konjufca u përgjigj edhe në pyetjen nëse ai është opsion për president.

“Po ta kishte qasjen mazhoranca që ta propozojë një president të LVV-së, unë mendoj që është pikërisht ajo që po duam ta shmangim, sepse kjo është për ta vendosur opozitën para aktit të kryer, me thënë ky është dhe duhet ta votoni. Ju duhet ta kuptoni që ky nuk është qëllimi kësaj radhe i mazhorancës, për atë kemi vepruar në këtë mënyrë”, deklaroi Konjufca.

Nënkryetari i LVV-së tha se Kushtetuta e Kosovës e ka bërë një dallim të rëndësishëm mes mënyrës së zgjedhjes së presidentit dhe qeverisë. “Qeveria zgjidhet me një mazhorancë që është e thjeshtë, mjaftojnë 61 deputetë për ta zgjedhur një Qeveri, por te institucioni i presidentit dallon kjo”, u shpreh ai.

Më 4 mars është afati kur në Kuvend duhet të zgjidhet presidenti i ri i Republikës./rtk

Të ngjashme