Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Duhet konsensus politik për çështjen e presidentit

16:24 | 23 Shkurt 2026
E.G

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur para mediave pas takimit me kryeministrin Albin Kurti në Kuvend.

Ai bëri të ditur se gjatë bisedës janë trajtuar disa tema me rëndësi, përfshirë çështje gjeopolitike dhe të sigurisë, interesat e përbashkëta, si dhe buxheti i Komunës së Prishtinës dhe ai qendror.

Sipas Abdixhikut, fokusi kryesor i takimit ka qenë çështja e zgjedhjes së presidentit dhe afati kushtetues që, siç tha ai, “po rrjedh”.

“Ne folëm për çështjen më të rëndësishme, të presidentit, dhe afatin kushtetues që po na rrjedh. Dakordimi i përgjithshëm është se ka vetëm dy rrugë dhe duhet konsensus politik mes faktorëve të vendit. Ky konsensus politik duhet të ndërtohet brenda këtyre 90 ditëve, ose duhet një marrëveshje klasike politike”, deklaroi Abdixhiku.

Ai nuk dha detaje shtesë mbi formën e mundshme të marrëveshjes, por theksoi se zgjidhja kërkon koordinim dhe vullnet politik mes subjekteve parlamentare.

Të ngjashme