Komisioni për Administratë e Media pa amendamente në buxhet, s`pati kërkesa

12:23 | 18 Shkurt 2026
A Z

Asnjë kërkesë nuk ka shkuar në adresën e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal nga institucionet, prandaj i kanë dërguar njoftim Komisionit për Buxhet se nuk ka rekomandime e as amendamente në Projektligjin për Buxhetin e Republikës për vitin 2026.

Por, deputeti i Vetëvendosjes, Alban Bajrami tha se këto çështje do të mund të trajtohen në rishqyrtimin buxhetor që tha se do të ndodhë muajt e ardhshëm, jo shumë larg.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu tha se nuk kanë marrë asnjë kërkesë qoftë nga institucionet e pavarura qoftë nga ministritë përkatëse për shtim të buxhetit, prandaj, tha se nuk janë të obliguar të marrim ndonjë vendim sot për rritje të buxhetit ose buxhet shtesë.

“Duke pasur parasysh që ndoshta, po, afatet kohore për ne si deputetë kanë qenë shumë të shkurtra, unë mendoj që institucionet e pavarura kanë pasur mundësinë që t’i dërgojnë qysh më herët kërkesat e tyre, për nevojat e tyre, sepse ata e dinë më saktë nëse kanë nevojë për buxhet shtesë. Përderisa nuk kemi asnjë kërkesë, nuk kemi asnjë përgjegjësi nëse atyre nesër iu mungon buxheti”, tha ajo.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj tha se pikërisht kjo ishte arsyeja që kishin kërkuar që buxheti të mos shkonte me procedura të përshpejtuara.

“Meqenëse është periudhë e shkurtër kohore që ne duhet ta trajtojmë, sepse ne për këtë kemi votuar në seanca plenare që të mos shkohet me procedurë të përshpejtuar, por t’i lihet afat edhe deputetëve për analizë të mirëfilltë, ndoshta edhe dikastereve që i përkasin fushëveprimtarisë sonë që të dërgojnë ndonjë kërkesë për shtim buxheti, meqë afati është tepër i shkurtër”, tha ajo.

Kryetarja e Komisionit, Ariana Musliu-Shohi tha se nuk ka asnjë kërkesë nga institucionet e pavarura.

“U bëj thirrje të gjitha institucioneve të pavarura, RTK-së, KPM-së, Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, sepse e dimë që secila nga këto institucione ka nevojë të veçantë, për të qenë korrekt i lus udhëheqësit e këtyre institucioneve që të na i dërgojnë me shkrim sot deri në ora 16:00, këtë e them për të vetmen arsye që është duke u trajtuar me urgjencë”, tha Musliu-Shoshi.

Të ngjashme