Anushiq: Bashkëpunimi ushtarak Kroaci-Kosovë-Shqipëri nuk është kërcënim, synon stabilitetin e rajonit

23:13 | 12 Shkurt 2026
E.G

Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, deklaroi sot në Bruksel se bashkëpunimi ushtarak mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë nuk paraqet asnjë kërcënim për askënd dhe se synimi i tij është stabiliteti i rajonit.

“Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe kandidate për BE, Kosova synon anëtarësimin në BE dhe NATO, Kroacia është anëtare e BE-së dhe NATO-s, dhe për këtë arsye interesat tona janë të përbashkëta. Ne kemi interes stabilitetin e këtij rajoni të Evropës, e jo destabilizimin”, tha Anushiq për agjencinë e lajmeve “Beta”.

Ai kujtoi se Kroacia ka një marrëveshje të njëjtë bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes edhe me Serbinë, të nënshkruar në vitin 2010, e cila mbulon nëntë fusha të bashkëpunimit të përbashkët dhe që ende është në fuqi.

“Kroacia dëshiron t’i ndihmojë Shqipërisë dhe Kosovës në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE, përkatësisht në BE dhe NATO, ashtu siç jemi të gatshëm ta bëjmë edhe për Serbinë, nëse vendos të ndjekë rrugën evropiane apo atë të NATO-s”, theksoi ministri kroat, i cili sot mori pjesë në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel.

Anushiq shtoi se brenda NATO-s dhe BE-së ekzistojnë dhjetëra marrëveshje dhe deklarata të tilla bashkëpunimi, të cilat kanë për qëllim shkëmbimin e njohurive, teknologjive dhe lidhjen e industrive të mbrojtjes.

“Nuk kemi qenë kurrë kërcënim për askënd, e veçanërisht jo Kroacia, dhe as nuk e planifikojmë të jemi. Anëtarësimi ynë në NATO dhe BE na obligon dhe ne as mundemi, as duam të veprojmë ndryshe”, tha më tej ministri kroat i Mbrojtjes.

Shefat e Shtabeve të Mbrojtjes të Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë, në një takim në Shkodër të mërkurën, diskutuan mbi sfidat e sigurisë, thellimin e bashkëpunimit ushtarak, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse.

Pas takimit u njoftua se këtë vit do të zhvillohet ushtrimi i parë i përbashkët trepalësh, në kuadër të deklaratës së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes të arritur vitin e kaluar.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë e dënoi ashpër takimin, duke pretenduar se veprime të tilla mund të shkaktojnë pasoja të gjata mbi sigurinë dhe të destabilizojnë situatën në Ballkanin Perëndimor.

Shpërndaje në rrjete sociale