Meksika dhe SHBA-ja “operacion të koordinuar” në Paqësor, sekuestrohen tonelata me kokainë

07:33 | 12 Shkurt 2026
E.H

Marina Meksikane dhe Roja Bregdetare Amerikane sekuestruan tonelata kokainë gjatë një operacioni të koordinuar në Oqeanin Paqësor, njoftuan autoritetet meksikane të mërkurën.

Sipas Marinës, aksioni u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe jashtë zonës ekonomike ekskluzive të Meksikës, në ujëra ndërkombëtare.

Rreth 188 pako me drogë u gjetën në një anije në perëndim të ishullit Clarion, rreth 1,100 kilometra larg portit Manzanillo, në shtetin Colima. Autoritetet konfirmuan edhe arrestime, por nuk dhanë detaje mbi numrin e personave të ndaluar.

Operacioni i pazakontë i përbashkët vjen në një moment tensionesh mes dy vendeve, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për mundësinë e operacioneve ushtarake kundër karteleve të drogës në territorin meksikan dhe aksioneve amerikane ndaj mjeteve që dyshohet se transportojnë drogë në rajon.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka theksuar vazhdimisht se nuk do të lejojë trupa amerikane të veprojnë në territorin e vendit të saj, ndërsa Trump ka këmbëngulur për masa më të ashpra kundër trafikut të drogës, duke paralajmëruar edhe tarifa shtesë doganore për të rritur presionin ndaj autoriteteve meksikane.

Ndërkohë, Uashingtoni njoftoi se kishte neutralizuar dronë që dyshohet se i përkisnin karteleve pranë kufirit, incident që çoi në mbylljen e përkohshme të aeroportit në El Paso, Teksas. Megjithatë, presidentja Sheinbaum deklaroi se nuk kishte marrë asnjë raport zyrtar për praninë e dronëve të tillë në kufirin amerikan.

Shpërndaje në rrjete sociale