Osmani reagon pas dy sulmeve vdekjeprurëse në Kanada

11:31 | 11 Shkurt 2026
E.K

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmeve vdekjeprurëse që ndodhën në Tumbler Ridge, Kanada, duke shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin e saj me popullin kanadez.

Në një postim në platformën X, Osmani theksoi se asnjë prind, fëmijë apo komunitet nuk duhet të përballet me një tragjedi të tillë, duke e cilësuar ngjarjen si një humbje të rëndë dhe të pamendueshme.

“Sot, zemrat tona dhe mendjet tona janë në Tumbler Ridge, Kanada. Asnjë prind, asnjë fëmijë, asnjë komunitet nuk duhet ta përjetojë kurrë një tragjedi të tillë. Ne bashkëndiejmë me popullin e Kanadasë dhe u shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve që përballen me këtë humbje të paimagjinueshme”, ka shkruar Osmani.

Ajo gjithashtu shprehu mbështetje për të plagosurit nga ky incident, duke nënvizuar se Kosova qëndron pranë Kanadasë në këtë kohë pikëllimi.