Haxhi Shala u lirua me kusht, e konfirmon Specialja

14:34 | 10 Shkurt 2026
E.K

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatësja Ekaterina Trendafilova, më 2 shkurt 2026 ka vendosur të modifikojë dënimin e Haxhi Shalës, duke i mundësuar lirimin e tij me kusht.

Sipas vendimit, kushtet e lirimit do të mbeten në fuqi për pjesën e mbetur të dënimit prej tre vjetësh. Haxhi Shala është liruar dhe është kthyer në Kosovë më 10 shkurt 2026.

Në arsyetimin e saj, Kryetarja Trendafilova ka marrë parasysh shenjat e rehabilitimit të Shalës, përfshirë një letër të dërguar prej tij, ku ai shpreh keqardhje për pasojat e veprimeve të tij. Po ashtu, janë vlerësuar pozitivisht marrëdhëniet e tij familjare, mjedisi i qëndrueshëm i jetesës dhe rrjeti shoqëror.

“Kryetarja gjykoi se, ndonëse veprat penale për të cilat ai u shpall fajtor janë të rënda, z. Shala e kishte shkruar letrën me nismën e vet dhe pa ndihmë ligjore, pas një periudhe reflektimi. Ajo konstatoi se letra e tij ishte shenjë e distancimit të sinqertë nga veprat penale për të cilat u shpall fajtor”.

“Procedurat e uljes, modifikimit ose ndryshimit të dënimeve të përcaktuara në nenin 51(2) të Ligjit janë procedura individuale. Kur një person i shpallur fajtor ka vuajtur dy të tretat e dënimit, ai ose ajo nuk ka të drejtë të vetvetishme që dënimi t’i ulet, modifikohet ose ndryshohet, por vetëm plotëson kriteret për shqyrtim të mundësisë së uljes, modifikimit ose ndryshimit të dënimit”, thuhet në njoftim./Arbresh.info