Drejtori i Doganës dhe ambasadorin slloven diskutojnë lehtësimet doganore

23:39 | 9 Shkurt 2026
E.G

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës ka pritur sot në takim Ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, me të cilin janë diskutuar çështje me interes të përbashkët në fushën e tregtisë, lehtësimit të procedurave doganore dhe avancimit të bashkëpunimit institucional.

Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, ambasadori ishte i shoqëruar nga përfaqësuesi rajonal i kompanisë sllovene të logjistikës Interevropa, me të cilin është zhvilluar “një diskutim i detajuar lidhur me zhvillimet aktuale dhe perspektivën e ardhshme të procesit të zhdoganimit në Kosovë”.

Në fokus të veçantë ka qenë orientimi drejt zhdoganimit pa përdorimin e terminaleve doganore të brendshme, si pjesë e reformave që synojnë “thjeshtësimin e procedurave, uljen e kostove dhe rritjen e efikasitetit për operatorët ekonomikë”.

Gjatë takimit është trajtuar edhe çështja e evitimit të pagesave për shërbime të zhdoganimit, pas progresit të bërë nga Republika e Kosovës në krijimin e lehtësirave dhe përafrimin e praktikave me vendet e BE-së, zhvillime këto që, sipas njoftimit, janë theksuar edhe në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.

“Palët theksuan rëndësinë e adresimit të kësaj çështjeje përmes reformave të qëndrueshme, me qëllim të rritjes së transparencës, konkurrencës së ndershme dhe përmirësimit të klimës së biznesit”, thuhet në komunikatë.

Drejtori i Përgjithshëm ka theksuar përkushtimin e Doganës së Kosovës për zbatimin e standardeve evropiane në fushën doganore, digjitalizimin e mëtejmë të proceseve dhe forcimin e bashkëpunimit me sektorin privat dhe partnerët ndërkombëtarë, në funksion të lehtësimit të tregtisë dhe integrimit evropian të vendit.

Po ashtu, palët janë dakorduar që dialogu dhe bashkëpunimi të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me synimin e përbashkët për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe përmirësim të mjedisit të të bërit biznes në Kosovë.