Rafa Yuste, president i përkohshëm i Barcelonës deri në zgjedhje

21:27 | 9 Shkurt 2026
D.H

Joan Laporta dhe një pjesë e bordit drejtues të Barcelonës kanë dhënë dorëheqje për t’u hapur rrugë zgjedhjeve dhe për të pasur mundësi të kandidojnë sërish për rizgjedhje.

Ky ishte hapi i domosdoshëm për nisjen e procesit elektoral, i cili do t’i çojë anëtarët e klubit në votime më 15 mars. Megjithatë, presidenti i ri i Barcelonës nuk do ta marrë detyrën deri më 1 korrik.

Deri atëherë, klubi katalanas do të drejtohet nga një grup i vogël i drejtuesve aktualë (pa krijuar një bord të përkohshëm), ndërsa në krye të presidencës interim do të jetë nënkryetari i parë aktual, Rafa Yuste.

Ata që e njohin nga afër thonë se ai është profili ideal për një rol kalimtar, por shumë të rëndësishëm dhe të ekspozuar mediatikisht.

Yuste e sheh këtë detyrë si një përgjegjësi në shërbim të projektit të Laportës. “Jani është si vëllai im”, ka përsëritur ai në disa raste. Kjo besnikëri shpjegon një pjesë të madhe të rrugëtimit të tij në klub dhe besimin e madh që Laporta ka ndaj tij.

Edhe pse nuk ishte pjesë e kandidaturës fituese në vitin 2003, Yuste iu bashkua bordit drejtues në vitin 2005, në një periudhë të trazuar pas dorëheqjeve të para brenda laportizmit.

Sandro Rosell, Josep Maria Bartomeu, Jordi Monés, Javier Faus dhe Jordi Moix u larguan nga klubi për shkak të mosmarrëveshjeve me mënyrën e menaxhimit. Në atë moment, Laporta iu drejtua mikut të tij të vjetër nga koha e shkollës te Maristët – ku ishin bashkë që nga mosha gjashtëvjeçare deri në COU – për të forcuar ekipin drejtues. Që prej asaj kohe, ata nuk janë ndarë më.

Yuste nisi si anëtar bordi dhe mori pjesë në vendime strategjike si marrëveshja me UNICEF-in, përpara se të emërohej nënkryetar sportiv në vitin 2008. Në atë periudhë ai përjetoi nga brenda vitet e arta të Barcelonës me Leo Messin dhe Pep Guardiolën, me të cilin kishte marrëdhënie të mira që nga koha kur trajneri drejtonte ekipin rezervë. Yuste ishte drejtuesi përgjegjës për Barça B (tash Barça Atlètic) dhe qëndroi në postin e nënkryetarit sportiv deri në vitin 2010.

Pas tentativës së pasuksesshme të Laportës për t’u rikthyer në krye të klubit në vitin 2015, Yuste u rreshtua sërish pranë tij në mandatin aktual, gjithmonë si njeri i besuar dhe sërish si përgjegjës maksimal sportiv në nivel drejtues. Tash e tutje, roli i tij në krye të klubit do të jetë strikt institucional: pa bujë, pa vendime strukturore dhe me kompetenca të kufizuara nga statuti.

“Është një person shumë korrekt, që nuk krijon konflikte”, thonë ata që kanë punuar me të. “Në një periudhë tranzicioni, ku nuk duhet të ndodhë asgjë e madhe, profili i tij është perfekt.” Kësaj i shtohet edhe përvoja e madhe si drejtues dhe njohja e thellë e klubit, veçanërisht në aspektin sportiv, ku ka marrë pjesë pothuajse në të gjitha vendimet e mëdha të viteve të fundit.

Barcelona për Yusten është pasion i trashëguar brez pas brezi. Ai është tifoz i Barcelonës që nga lindja: gjyshërit e tij ishin anëtarë të klubit dhe shkonin në “Les Corts”, prindërit vazhduan traditën dhe ai bëri të njëjtën gjë. Numri i kartelës së tij si anëtar, 9.977, e dëshmon më së miri këtë lidhje. Shumë i dhënë pas futbollit, si edhe Laporta, Yuste ka luajtur për Martinenc në Divizionin e Tretë, por një lëndim i rëndë në kyçin e këmbës ia ndërpreu karrierën në moshën vetëm 17-vjeçare.

Që nga ajo kohë, ai e mban gjallë pasionin me ndeshje rekreative dhe stërvitje me veteranët e klubit, sa herë që ia lejon angazhimi.

Shpërndaje në rrjete sociale