Pa befasi mbyllet xhiroja e 19 në Superligën e Kosovës – Rezultatet dhe renditja

15:45 | 8 Shkurt 2026
D.H

Superliga e Kosovës është rikthyer me stinorin pranveror, ku gjatë kësaj fundjave është luajtur xhiro e 19-të.

Në pesë sfidat e luajtura dje dhe sot, nuk pati ndonjë befasi, favoritët fituan si dhe përballja e vetme që u mbyll baras ishte ajo mes Llapit dhe Drenicës.

Kjo sfidë përfundoi 1-1. Ndërkohë, kampionia në fuqi Drita e mposhti Ferizajn në udhëtim me rezultat 0-1.

Me po të njëjtin rezultat triufmoi edhe Prishtina në udhëtim tek Dukagjini.

Në përballjet e luajtura sot, Ballkani fitoi derbin ndaj Gjilanit me rezultat 2-1. Kurse, Malisheva e mposhti minimalisht 1-0 Prishtinën e Re.

Pas 19 xhirove, Ballkani vazhdon të jetë lider me 36 pikë, i ndjekur pas nga Prishtina me 33 dhe Drita 32.

Malisheva është ngritur në pozitën e katërt me 30 sosh. Dukagjini është i pesti me 29, teksa Gjilani renditet i gjashti me 26.

Llapi ndodhet në pozitën e shtatë me 22 pikë gjithsej. Pozita e tetë është për Drenicën me 21 sosh, ndërsa Ferizaj është i parafundit me dy pikë më pak.

Renditjen tabelare e mbyll Prishtina e Re me 15 pikë të grumbulluara.

Në xhiron e radhës takohen Ballkani – Malisheva, Prishtina – Llapi, Drita – Drenica, Dukagjini – Gjilani dhe Prishtina e Re – Ferizaj./Arbreshf.info

Shpërndaje në rrjete sociale