Agim Veliu: Dega e LDK-së në Podujevë ndodhet në krizë, pesë humbje rresht janë pasojë direkte e një kryetari të komanduar

12:07 | 27 Janar 2026
E.K

Agim Veliu ka bërë një thirrje të hapur për reformim të menjëhershëm të Degës së LDK-së në Podujevë, duke e vlerësuar se dega po përjeton një krizë të thellë politike dhe organizative.

Në deklaratën e tij publike, Veliu thekson se pesë humbjet rresht të LDK-së në Podujevë janë pasojë e udhëheqjes së një kryetari “të komanduar”, i cili sipas tij ka humbur besimin e anëtarësisë dhe nuk ka marrë përgjegjësi për rezultatet e dobëta.

Postimi i plotë:

Thirrje për reformim të menjëhershëm të Degës

Të nderuar qëndrestarë, anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së,

Gjërat të thuhen hapur.

Dega e LDK-së në Podujevë ndodhet në krizë të thellë politike dhe organizative. Pesë humbje rresht janë pasojë direkte e një kryetari të komanduar që ka humbur besimin e anëtarësisë, pa marrë asnjëherë përgjegjësi.

Për më shumë se 30 vite Dega jonë ka qenë shembull i organizimit dhe fitoreve, ndërsa për mbi 20 vite qytetarët ma kanë besuar pesë herë drejtimin e Komunës.
Kjo tregon se partia di të fitojë kur respektohen parimet, demokracia e brendshme dhe baza e saj.

Pas largimit tim dhe marrjes së kompetencave të kryesisë, me një vendim kundërstatutor dhe të padrejtë, Degës i janë imponuar vendime të mbyllura, përjashtuese dhe pa legjitimitet.

Rezultati është i qartë:

humbje, demotivim dhe largim i anëtarësisë.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare, Dega e LDK-së në Podujevë nuk është e përfaqësuar me deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Prandaj, sot bëj thirrje të hapur dhe publike për ndryshime të menjëhershme në Degën e LDK-së në Podujevë.
Në këtë situatë është e domosdoshme:
• Marrje përgjegjësie politike për dështimet e njëpasnjëshme.
• Hapje e Degës ndaj anëtarësisë, jo drejtim i mbyllur dhe i kapur nga interesa personale.
• Zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, pa imponime dhe pa lista të parapërgatitura.
• Rikthim i unitetit, meritokracisë dhe respektit për kontributin e secilit.

Kjo është thirrje për shpëtim politik të LDK-së.

Heshtja dhe nënshtrimi përballë dështimit vetëm sa e thellojnë krizën dhe e largojnë partinë nga qytetarët.

Duke u angazhuar për proces transparent zgjedhor, nuk kërkoj privilegje, por shpreh gatishmërinë të kontribuoj me përvojën time politike në funksion të reformimit, unitetit dhe rikthimit të besimit të humbur.

Partia nuk i përket një individi, apo një grupi të vogël.

LDK është e anëtarëve dhe votuesve të saj.

Nëse nuk ndryshojmë tani, humbjet vetëm do të vazhdojnë./Arbresh.info