Nga sot hiqet detyrimi i paraqitjes 6-mujore për pensionistët kontribuues

16:36 | 19 Janar 2026
E.H

Nga sot ka hyrë në fuqi zbatimi i vendimit të Gjykatës Supreme, me të cilin është shfuqizuar udhëzimi administrativ që obligonte pensionistët të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin e Pensioneve për të dëshmuar se janë gjallë. Ky vendim nuk përfshin pensionistët bazikë dhe ata me pension të parakohshëm, të cilët vazhdojnë të kenë obligim paraqitjen çdo gjashtë muaj.

Në Departamentin e Pensioneve, gjatë orëve të pasdites, është njoftuar se ka hyrë në fuqi zbatimi i vendimit të Gjykatës Supreme, i cili ka shfuqizuar pjesë të udhëzimit administrativ që detyronte pensionistët të paraqiteshin çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se janë gjallë.

Enver Sopi, pensionist kontributdhënës, po zbriste shkallëve të zyrave të Departamentit të Pensioneve. Duke folur për Radio Kosovën, para se vendimi të hynte në fuqi, ai konfirmoi se po detyroheshin të dëshmonin çdo gjashtë muaj se janë gjallë.

“Në tabelë, te sporteli, shkruan që duhet të lajmërohen çdo gjashtë muaj, duhet të vijnë m’u paraqit. Ende nuk po zbatohet vendimi. Këta i thërrasin personat, ata as që lajmërohen”, tha ai.

Në radhë për të dëshmuar se është gjallë po priste edhe pensionistja kontributdhënëse në arsim, Sevdije Hasani. Ajo tha se kjo mënyrë është një maltretim për ta.

“Ky është një gjest shumë i keq, sepse disa mund të vijnë e disa nuk munden, janë të paaftë, të paralizuar, dhe në atë gjendje detyrohen që të lajmërohen. Nëse vdes, me automatizëm bëhet edhe ç’lajmërim. Prandaj ky është maltretim që u bëhet pensionistëve. Njëherë u aprovua, tani s’u aprovua, prandaj ka edhe shumë njerëz këtu. Shumë keq”, tha Sevdije Hasani.

Se vendimi i Gjykatës Supreme ende nuk po gjen zbatim e konfirmon  edhe sekretari i Lidhjes së Pensionistëve, Sherif Kastrati. Ai thotë se shpreson që institucionet përkatëse të bëjnë ndryshime edhe për pensionistët bazikë.

“Janë të obliguara dy kategori të paraqiten për pension: pensioni bazik dhe pensioni i parakohshëm, pasi që Gjykata nuk ka të drejtë të shfuqizojë ligje, por vetëm udhëzimin administrativ. Kjo ka qenë e mundshme vetëm përmes ministrisë, pasi që vetëm ajo është kompetente ta bëjë këtë”, tha Kastrati.

Nga sot, obligimi për paraqitje nuk vlen më për përfituesit e pensioneve kontribuuese, pensioneve parciale dhe pensioneve familjare. Kështu thuhet në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën nga Ministria e Financave. Ndërkaq, kategoritë e tjera të pensioneve që nuk përfshihen në këtë grup vazhdojnë të kenë obligim paraqitjen, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në përgjigjen e Ministrisë së Financave theksohet se ministria do ta rishikojë udhëzimin administrativ për të adresuar ndryshimet e nevojshme dhe për ta harmonizuar atë me aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

Ndërkohë, edhe Gjykata Supreme,  ka theksuar se vendimi u është dorëzuar palëve në procedurë dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale