“Le të shohim”, edhe Andy Robertson s’e mohon mundësinë e largimit nga Liverpooli

18:54 | 15 Janar 2026
E.G

Andy Robertson ka zbuluar dëshirën e tij për të qëndruar te Liverpooli, por njëkohësisht ka pranuar se e ardhmja e tij mbetet e paqartë, për shkak të nevojës së madhe për më shumë minuta në fushë.

31-vjeçari është zhvendosur në një rol dytësor në Anfield këtë sezon, pas ardhjes së Milos Kerkez gjatë verës, duke nisur vetëm 11 ndeshje në të gjitha garat dhe vetëm katër në Ligën Premier.

Robertson ka qenë kryesisht i besueshëm sa herë që ka hyrë në formacion, madje në disa raste ka lënë përshtypje më të mira se Kerkez, por situata e tij për të ardhmen mbetet e hapur. Kontrata e reprezentuesit të Skocisë skadon këtë verë dhe ai ende nuk ka firmosur një marrëveshje të re me “The Reds”.

Robertson ka folur hapur për të ardhmen e tij në Liverpool, duke konfirmuar se ka pasur bisedime me klubin për një kontratë të re, por pa ndonjë vendim përfundimtar.

“Kemi pasur biseda që do të mbeten private; do ta shohim se çfarë do të ndodhë”.

“Më kanë mbetur edhe pesë muaj dhe duhet të shohim nëse ekziston opsioni për të qëndruar apo nëse ka mundësi për t’u larguar. Do të ulem me familjen time dhe do të vendosim”.

“Pas një vere stresuese, po përpiqem thjesht ta shijoj faktin që jam pjesë e këtij klubi dhe lojtar i Liverpoolit. Doja të kualifikohesha në Kupën e Botës dhe fatmirësisht ia dolëm. Tani duhet të shoh se çfarë duam unë dhe familja ime për të ardhmen”.

Ai shtoi gjithashtu se dëshiron të luajë sa më shumë sepse nuk i pëlqen të jetë në stol.

“Mund të përqendrohem te tetë vitet e gjysmë të fundit. Mendoj se Jurgen Klopp më la jashtë vetëm në një ndeshje dhe isha shumë i zemëruar. Unë jam një lojtar që dua të luaj”.

“Kam luajtur me lëndime. Kam luajtur edhe kur nuk kam qenë 100 për qind i gatshëm. Kam luajtur kur kam qenë vetëm 50, 40 apo 30 për qind i aftë për këtë klub dhe për kombëtaren. Gjithmonë dua të jem në fushë dhe të luaj, dhe tani kjo nuk po ndodh, prandaj kjo është ajo që ka ndryshuar”.

“Kam një rol tjetër këtë sezon, të cilin po e shijoj, por në fund të fundit, futbollistët duan të luajnë. Nëse dikush është i lumtur duke qëndruar në stol, atëherë nuk i përket asnjë klubi futbolli”./Telegrafi

Shpërndaje në rrjete sociale