Ministria e Drejtësisë ka shkarkuar nga detyra drejtorin e burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, pas arratisjes së të burgosurit Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit.
Shkarkimi i tij vjen pasi Drejtoria e Burgjeve deklaroi se nga verifikimet paraprake është konstatuar se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.
Pamje ekskluzive të siguruara nga RTSH.al kanë dokumentuar momentin kur Altin Ndoci është dërguar drejt ambienteve spitalore. Në pamjet e siguruara, ai shfaqet duke u transportuar me autoambulancë, pa pranga dhe i shoqëruar në krah vetëm nga një efektiv i policisë së burgjeve, ndërsa dy punonjës të tjerë shihen duke e ndjekur nga pas.
Gjithashtu, sipas Drejtorisë së Burgjeve IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe autoritetet e policisë për planifikimin e vizitës mjekësore.
Altin Ndoci, i njohur për precedentë penalë dhe i përfshirë në dosje të bujshme kriminale, u arratis një ditë më parë nga Spitali Rajonal i Durrësit, ku ishte dërguar për trajtim mjekësor.
Si pasojë, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, përfshirë drejtorin, shefat e policisë, shërbimin shëndetësor dhe punonjës të tjerë të përfshirë.
Po ashtu, ditën e sotme u arrestuan 6 efektivë të policisë të cilët shoqëruan Altin Ndocin në ambientet e Spitalit të Durrësit, zv.shefi i Policisë së Burgut (dhe kryeinfermieri i spitalit.
Kush ishte Altin Ndoci
Altin Ndoci ndodhej në paraburgim prej 2020 për vepra të rënda penale. Ai njihet si pjesë e organizatës së Çopjave, si dhe dyshohet i përfshirë në masakrën e Bradasheshit në Elbasan ku mbeti i vrarë vëllai i Erion Alibej, xhaxhai i Alibej dhe një shtetas turk.
Sipas dosjes së SPAK-ut, Altin Ndoci akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e Andi Zylyfit.
Ndoci akuzohet për “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”./rtsh
Mafia e drogës goditet në Spanjë, 5 shqiptarë të arrestuar
Kurti takon ambasadorët e BE-së, diskutohet formimi i instit...
KQZ: Vazhdon rinumërimi i votave, 64 nga 914 vendvotime të p...
Osmani: Kosova është gati për kapitullin e rradhës, statusin...
PDK akuzon Qeverinë për krizën energjetike, paralajmëron kom...
Kurti dhe Walker flasin për zhvillimet e fundit në vend