Një avokat zviceran ka njoftuar të hënën se ka paraqitur një padi në Zvicër kundër gazetës satirike franceze Charlie Hebdo, pas publikimit më 9 janar të një karikature që lidhet me zjarrin vdekjeprurës në një bar në vendpushimin turistik Crans-Montana.
Në vizatim, dy skiatorë me lëkurë të nxirë dhe me fasha zbresin një shpat ku shihet tabela e sinjalizimit “Crans-Montana”, të shoqëruar me mbishkrimet “Të djegurit bëjnë ski” dhe “Komedia e vitit”, në referencë ndaj filmit komik të vitit 1979 Les Bronzés font du ski.
“Është një veprim qytetar”, ka deklaruar për AFP-në avokati Stéphane Riand, i cili e ka paraqitur padinë së bashku me bashkëshorten e tij, Béatrice, shkrimtare, pranë prokurorisë së kantonit Valais.
Sipas tij, ky vizatim është “një paraqitje e dhunës që cenon dinjitetin njerëzor të viktimave”, duke theksuar se liria e shprehjes “mund të vihet në plan të dytë” në raste të caktuara, sipas legjislacionit zviceran.
Padia përfshin edhe autorin e karikaturës, Eric Salch.
Vizatimi u botua më 9 janar, ditë që në Zvicër u shpall ditë zie kombëtare në nderim të viktimave të kësaj tragjedie, e cila mori 40 jetë – kryesisht adoleshentë dhe të rinj – dhe la 116 të plagosur në natën e Vitit të Ri. Mes viktimave ka pasur edhe shtetas të huaj, përfshirë francezë dhe italianë.
I kontaktuar nga AFP-ja, Charlie Hebdo nuk ka dhënë asnjë koment.
Në padi thuhet se vizatimi “i paraqet grafikisht vetë viktimat, të përdorura si boshti kryesor i një mesazhi satirik që kufizohet me neverinë”. Kjo padi është publikuar në llogarinë në Facebook të zonjës Riand.
“Shndërrimi simbolik i viktimave reale në aktorë të buzëqeshur të një drame – për të cilën ato nuk mbajnë asnjë përgjegjësi – përbën një çnjerëzim grafik, të papajtueshëm me respektin minimal që i detyrohet dinjitetit njerëzor”, argumentojnë paditësit, duke vlerësuar se, në këtë rast konkret, respekti për dinjitetin njerëzor mbizotëron mbi lirinë e shprehjes.
Ata kërkojnë që prokuroria zvicerane të hapë një hetim penal ndaj drejtuesve të Charlie Hebdo-s dhe karikaturistit të saj. / Burimi: La Presse
Bill Clinton do të dëshmojë sot për Epstein
Dy alpinistë humbin jetën nga një ortek në veri të Italisë
Pakistani nis sulme ajrore në Afganistan, 133 persona të vra...
Zelensky: Raundi i ardhshëm i bisedimeve për paqe do të zhvi...
Dugolli: Shkuarja në zgjedhje në dorën e opozitës
Sot nis gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve për pengim të dre...