Për të dytin vit me radhë, Trepça dominoi basketbollin kosovar

17:00 | 1 Janar 2026
D.H

Sikurse në vitin 2024, edhe gjatë vitit që lëmë pas KB Trepça dominoi basketbollin kosovar, duke fituar dy trofetë më të rëndësishëm, titullin kampion dhe Kupën e Kosovës.

Fillimisht në shkurt të 2025-tës, Trepça triumfoi në finalen e Kupës së Kosovës ndaj Bashkimit me rezultat 85-79, shkruan Arbresh.info.

Deri në finale të këtij kompeticioni, mitrovicasit eliminuan Proton Cable Prizrenin në çerekfinale, si dhe Sigal Prishtinën në gjysmëfinale.

Ky ishte viti i katërt me radhë që “xehetarët” e fitojnë kupën derisa ishte trofeu i tetë në sirtarin e tyre.

Trepça sezonin e rregullt të edicionit të fundit e mbylli në pozitën e dytë, derisa Bashkimi i Prizrenit ishte lider. Kjo ua mundësoi dy skuadrave që garat për titullin kampion t’i nisin nga gjysmëfinlja e play-offit.

Aty skuadra e Adis Beciragiq e priste fituesin e duelit Vëllaznimi – Sigal Prishtina ku këta të fundit fituan 2-1 në seri.

“El Classico” e basketbollit kosovar midis Trepçës e Prishtinës do t’i dhuronte katër përballje të zjarrta në gjysmëfinale, ku me rezultat 3-1 u mbyll kjo seri dhe mitrovicasit arritën ta prekin finalen e katërt me radhë.

Finalja e play-offit do ta përballet Trepçën me Bashkimin, një ripërsëritje e finales së kupës ku fundi ishte i njëjtë.

Trepça ani pse nuk e pati epërsinë e terrenit pasi sezonin e rregullt e mbylli e dyta, arriti të fitoj një ndeshje në Prizren dhe ta lehtësoj rrugën drejt titullit kampion.

Seria finale u përmbyll në Mitrovicë në ndeshjen e gjashtë, ku Trepça mposhti Bashkimin me rezultat 82-67, dhe arriti titullin e gjashtë në histori.

Falë këtij suksesi skuadra nga Mitrovica përsëriti sukseset e vitit të 2024.

Në tetor të vitit 2025, nisi edicioni i ri i Superligës së Kosovës në basketboll ku “xehetarët” do të tentojnë të përsërisin sukseset e dy viteve të fundit.

Pas 13 ndeshjeve të para, Trepça e mbylli stinorin vjeshtor si liderë me 10 fitore e tri humbje, duke lënë pas Bashkimin me nëntë fitore e katër humbje./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale