Arteta nuk e ka të sigurt rinovimin e kontratës te Arsenali

14:24 | 20 Dhjetor 2025
Q L

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka deklaruar se nuk e ka të sigurt rinovimin e kontratës së tij me klubin londinez, pavarësisht se këtë javë shënon gjashtë vjet në krye të “Topçinjve”.

Arteta, i cili deri më tani ka fituar vetëm një trofe me Arsenalin – FA Cup në vitin 2020 – ka theksuar se qëndrimi i tij në klub varet nga puna e përditshme dhe rezultatet në muajt në vijim.

“Po, mund ta imagjinoj të qëndroj më gjatë, por gjithçka ka të bëjë me të sotmen. Shumë gjëra duhet të ndodhin në muajt e ardhshëm për ta fituar këtë të drejtë. Trajneri duhet ta fitojë të drejtën për të qenë këtu edhe nesër,” ka thënë Arteta.

Ai ka shtuar se rëndësi të madhe ka mënyra se si një trajner sillet dhe komunikon me ekipin.

“Ka rëndësi mënyra si reagon, si flet këtu, si hyn në zhveshtore dhe mesazhi që u dërgon lojtarëve. Sa shumë ata të ndjekin,” theksoi spanjolli.

Arteta ka vlerësuar mbështetjen që ka nga pronarët dhe bordi drejtues, por ka nënvizuar se faktori më i rëndësishëm mbeten lojtarët.

“Mbështetja nga pronarët dhe bordi është e shkëlqyer, por në fund, më të rëndësishmit janë lojtarët. Ti përballesh me ta, flet me ta dhe ata ose janë të përqendruar e të etur për të mësuar, ose të painteresuar,” shtoi ai.

Trajneri 42-vjeçar theksoi se përkushtimi dhe dëshira e lojtarëve gjatë këtyre gjashtë viteve janë arsyeja kryesore pse ai vazhdon të jetë në këtë profesion.

“Për gjashtë vjet kam parë vetëm lojtarë me nivel të lartë vëmendjeje dhe dëshire për të dhënë maksimumin për ekipin. Kjo është ajo që më mban në këtë punë. Dhe, sigurisht, fitimi i shumë ndeshjeve – sepse vetëm kështu mund të mbijetosh në këtë ambient,” përfundoi Arteta./rtk