Pas dy vitesh heshtjeje dhe festimesh të anulluara për shkak të luftës në Gaza, Betlehemi, qyteti ku kristianët besojnë se lindi Jezusi ndezi sërish pemën e madhe të Krishtlindjes para Kishës së Lindjes. Ndriçimi simbolik u bë pas armëpushimit të fundit dhe u përjetua si një moment shprese në një periudhë të vështirë.
Kryetari i Bashkisë, Maher Canawati, tha se vendimi për të rikthyer festimet ishte i vështirë, teksa dhimbja në Gaza vazhdon, madje edhe për komunitetin e vogël të krishterë atje, që shpesh ka familjarë në Betlehem. “Ka pasur dy vite të këqija heshtjeje. Por Krishtlindja nuk duhet kurrë të shuhet, është drita jonë e shpresës,” u shpreh ai.
Sheshi i Graxhdës u mbush me banorë vendas, të krishterë e myslimanë që bënin foto para pemës së zbukuruar me ngjyrë të kuqe dhe ari. Disa turistë të huaj, kryesisht pelegrinë, iu bashkuan festimeve, ndërsa rrugët përreth u mbushën me drita dhe pankarta të ngjarjeve festive.
Bizneset dhe hotelet, që kanë vuajtur mungesën pothuajse totale të turistëve, shpresojnë në ringritje. Por realiteti ekonomik mbetet i vështirë: papunësia ka marrë përmasa të mëdha dhe shumë familje nuk përballojnë më as ushqimet bazë. Restorantet tradicionale si Afteem thonë se kohët e fundit njerëzit nuk kanë pasur para as për falafel.
Megjithatë, të krishterët e Betlehemit thonë se pavarësisht varfërisë, do të përpiqen të festojnë sipas mundësive me përulësi, lutje dhe shpresë për paqe. Në Grotën e Lindjes, ku një yll argjendi shënon vendin e lindjes së Krishtit, pelegrinët ndezin qirinj duke u lutur për një vit më të qetë.
Dogana zbulon mallra të padeklaruara në vlerë rreth 13 mijë ...
Rodri dënohet me 80 mijë funte pas kritikave ndaj gjyqtarit
Rusia dhe Kina rihapin lidhjen hekurudhore pas 6 vitesh
Kur merret vendimi për dekretin e Presidentes? Flasin nga Gj...
Konfirmohet një tjetër mungesë e madhe për Realin ndaj Cityt
Kurti priti në takim përfaqësues të BERZh-it, flasin për zba...