Ish-gjyqtari i Kushtetueses: LDK s’ka të drejtë morale të flasë për bllokadën, duket si një kopje e zbehur e VV-së së dikurshme

11:11 | 2 Dhjetor 2025
E.H

Ish-gjyqtari i Kushtetueses, Kadri Kryeziu ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk ka të drejtë morale të flasë për bllokadën nëntë mujore të institucioneve të vendit pasi thotë se deputetë të kësaj partie patën deklaruar se nuk kanë votë për asnjë kandidatë të Vetëvendosjes, pra në kohën kur hidhej në votim Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Kryeziu ka thënë se LDK nën Lumir Abdixhikun është kthyer në një pasqyrë të impulseve të cilat sipas tij LVV i ka tejkaluar prej vitesh. Me këtë rast ai thekson se LDK duket si një kopje e zbehur e LVV-së së dikurshme, e zemëruar dhe e bllokuar.

“LDK nuk ka të drejtë morale të flasë sot për bllokadën 9-mujore. Deklaratat e ish-ministres Hykmete Bajrami e bëjnë këtë të pamundur: ajo ka pranuar publikisht se LDK “nuk ka votë për asnjë kandidat të LVV” dhe se “e drejta për Kryetar të Kuvendit duhet t’i kalojë një partie tjetër”. Me fjalë të tjera, LDK kërkonte t’ia hiqte partisë së parë të drejtën kushtetuese të nominimit. Ky ishte thelbi i bllokadës. Dhe Gjykata Kushtetuese këtë e rrëzoi qartë. Në fund, ishte vetëm PDK që doli mbi vetveten dhe hyri në marrëveshje institucionale për të mos e mbajtur vendin peng. PDK bëri atë që LDK nuk e bëri dot: e ndau interesin e shtetit nga interesat partiake. LDK nën Lumir Abdixhikun sot është kthyer në një pasqyrë të impulseve që LVV i ka tejkaluar prej vitesh. Në çdo reagim, në çdo akuzë, në çdo argument, LDK duket si një kopje e zbehur e LVV-së së dikurshme — e zemëruar, e bllokuar, reaktive — pa asnjë lidhje me frymën gjithëpërfshirëse, strategjike dhe shtetformuese të LDK-së historike. LDK nuk po ofron alternativë. Po ofron imitim. Dhe imitimi i hidhur rrallë prodhon besueshmëri politike”, ka shkruar Kryeziu.

Shpërndaje në rrjete sociale