Ngritet aktakuzë ndaj nëntë personave për laborator droge në Prizren, konfiskohen banesa, vetura e para

10:59 | 2 Dhjetor 2025
E.K

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave në lidhje me laboratorin e drogës të zbuluar më 23 prill 2025 në Prizren. Të pandehurit akuzohen për kultivim dhe shpërndarje të bimëve narkotike, si dhe për veprime të tjera të lidhura me narkotikët.

Sipas aktakuzës, të pandehurit K.R., L.B., D.M., E.M., F.H., Sh.K., M.S., dhe A.S., nga një periudhë e pacaktuar kohore deri më 23.04.2025, kanë vepruar së bashku si anëtarë të grupit, duke shfrytëzuar dy banesa në lagjen “Dardania” në Prizren, në katin e VII-të, kanë krijuar një laborator të sofistikuar “in door” për kultivimin e bimës “kanabis sativa”. Laboratori ishte i pajisur me llamba profesionale, sisteme ventilimi, pesticide, matës temperaturash dhe pajisje mbështetëse, ku të njëjtit kanë kultivuar dhe rritur 175 bimë “kanabis sativa”. Me këto veprime, të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale
“Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 të KPRK-së.

Po ashtu, të pandehurit D.M., E.M., M.S., dhe A.S., akuzohen se kanë pasur për qëllim shitjen dhe shpërndarjen e lëndës narkotike të përfituar nga kultivimi i kanabisit, përmes tharjes, paketimit dhe përgatitjes për shpërndarje. Me këto veprime të njëjtit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge” nga neni 267 të KPRK-së.

Ndërkohë, të pandehurit K.R., dhe L.B., akuzohen se deri më 07.05.2025 kanë shpërndarë dhe shitur substanca narkotike të llojit “marihuanë” dhe “kokainë” në Prizren, Prishtinë dhe Fushë Kosovë. Gjatë bastisjeve është sekuestruar një sasi totale prej 451.91 gram kokainë, para të gatshme dhe pajisje tjera që shërbejnë për ndarjen dhe peshimin e lëndëve narkotike. Po ashtu, i pandehuri K.R., ka kryer shitjen e 2 kg marihuanë në këmbim të një veture “Audi A6”. Me këto veprime të njëjtit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge” nga neni 267 të KPRK-së.

Ndërkaq, i pandehuri B.M., si pjesë e grupit të organizuar në bashkëkryerje ka ndihmuar në kultivimin e bimës “kanabis sativa”, duke i informuar të pandehurit e lartcekur për lëvizje të dyshimta që mund të çonin në zbulimin e laboratorit nga policia. Me këto veprime, i njëjti ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 të KPRK-së.

Prokurori ka propozuar konfiskimin e banesave, dy veturave, narkotikëve të sekuestruar, telefonave mobil dhe parave të gatshme në shumën prej 1,020 € dhe 30 CHF, të cilat janë pasuri e fituar nga veprat penale.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit./Arbresh.info